Në takim u rikonfirmua partneriteti i fortë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe angazhimi i përbashkët med dy vendeve për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fusha kyçe si ekonomia, energjia, turizmi dhe ndërlidhja. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar, përfshirë grupet e miqësisë parlamentare, si një instrument i vlefshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
U diskutua gjithashtu mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga shtetet anëtare të BE-së dhe rëndësinë strategjike të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian.
Në fund, u vlerësua roli i rëndësishëm i pakicave në vendet tona përkatëse në forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore, historike dhe njerëzore që i afrojnë edhe më shumë kombet e të dy vendeve.



