Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një projekt me rëndësi të veçantë sociale dhe kombëtare për ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit në Luginën e Preshevës, një në Komunën e Preshevës dhe një në Komunën e Bujanocit.
Projekti do të realizohet në bashkëpunim me dy komunat respektive, ndërsa synon t’u krijojë fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë të kësaj zone kushte dinjitoze për të luajtur futboll, për t’u zhvilluar sportivisht dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre në ambiente që përmbushin standardet moderne.
Në kuadër të këtij investimi, Federata Shqiptare e Futbollit do të financojë ndërtimin e bazamentit të fushave, shtrimin e tapetit artificial sipas standardeve të FIFA-s, si edhe vendosjen e portave.
Ndërkohë, Komunat e Preshevës dhe Bujanocit do të realizojnë ndërtimin e dhomave të zhveshjes dhe ambienteve të tjera mbështetëse.
Ky projekt është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për të mbështetur zhvillimin e futbollit kudo ku jetojnë shqiptarë, duke krijuar më shumë mundësi për brezin e ri dhe duke përdorur sportin si një urë bashkimi, edukimi dhe integrimi.
Përtej infrastrukturës sportive, investimi synon të krijojë një hapësirë ku fëmijët dhe të rinjtë të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitet fizik, të edukohen me vlerat e sportit dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në një mjedis të sigurt dhe cilësor.
Ftesë për bizneset dhe donatorët
Për realizimin e këtij projekti, Federata Shqiptare e Futbollit fton bizneset, kompanitë dhe çdo donator që dëshiron të japë kontributin e tij për këtë nismë me impakt të rëndësishëm shoqëror dhe kombëtar, të bëhet pjesë e projektit.
Kontributi i çdo partneri do të ndihmojë drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të mira për qindra fëmijë dhe të rinj të Luginës së Preshevës, duke investuar në të ardhmen e tyre përmes sportit.
Të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë Federatën Shqiptare të Futbollit në adresën zyrtare të e-mailit: info@fshf.org.al
FSHF beson se, përmes bashkëpunimit me institucionet dhe komunitetin e biznesit, ky projekt mund të shndërrohet në një shembull të fuqishëm solidariteti dhe përgjegjësie sociale, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e rinj në Luginën e Preshevës.



