Sot, në Bujanoc, u zhvillua Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të biznesit, investitorë, institucione, organizata dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, me fokus zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës, nxitjen e investimeve, forcimin e partneriteteve të biznesit dhe përfshirjen e diasporës shqiptare në iniciativa konkrete zhvillimore.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë u përfaqësua nga Këshilltarja znj. Elona Dedi.
Në fjalën e saj, znj. Dedi theksoi gatishmërinë e Ambasadës për të qenë pjesë aktive e këtij procesi në krijimin e lidhjeve dhe të lehtësojë komunikimin me institucionet dhe aktorët ekonomikë në Shqipëri. Ambasada e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të krijojë ura dhe të mbështesë çdo nismë që kontribuon në zhvillimin ekonomik të Luginës.
Konferenca u organizua nga Unioni i Afaristëve – për Preshevë, Bujanoc, Medvegjë “Vizioni” në bashkëpunim me Rrjetin Global të Bizneseve dhe Komunën e Bujanocit.





