Në datat 8, 9, 10 prill 2016 trupa e baletit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit zhvilloi një turne në Republikën e Serbisë. Më 8 prill në mjediset e Teatrit Kombëtar të Serbisë, në Beograd, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit midis TKOB-it dhe Narodno Pozoristes. Nga pala shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga z. Ilir Kerni, drejtor i TKOB-it dhe nga pala serbe nga drejtori i përgjithshëm në detyrë z. Dejan Saviç. Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Serbi, z. Ilir Boçka.
Në mbrëmjen e datës 8 prill, në një nga sallat e Narodno Pozoristes trupa e baletit vuri në skenë dy pjesë të koreografit të njohur në botë me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, “Noces” dhe “La Stravaganza”. Publiku i pranishëm në sallë duartrokiti dhe vlerësoi interpretimin e artistëve shqiptarë. Pas shfaqjes, z. Ilir Boçka, dha një pritje koktej ku morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Serbi, artistë dhe miq të Shqipërisë. Në datat 9 dhe 10 prill trupa e baletit nga Shqipëria vijoi turin në Serbi, duke dhënë shfaqje në qytetet e Novi Sadit dhe të Nishit.