Në datën 5 tetor u zhvillua në Beograd konferenca ndërkombëtare “Serbia e Shqipëria – të ndërvarura në zhvillim dhe stabilizim”. Kjo veprimtari u organizua nga Lëvizja Europiane për Serbinë dhe Fondacioni Friedrich Ebert. Në të merrnin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave jo qeveritare nga Shqipëria, gazetarë, diplomatë, studiues dhe ekspertë nga fusha e ekonomisë.
Në fjalën e vet, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, z. Ilir Boçka theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur një zhvillim të ndjeshëm në të gjitha fushat, sidomos këto vitet e fundit pas vizitave të kryera në Beograd nga kryeministri Edi Rama dhe në Tiranë nga kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ndërkohë që mbetet ende shumë për të bërë në fusha si: ekonomia, tregtia, infrastruktura, arti e kultura. Takime si ky i sotmi, theksoi ambasadori Boçka, i shërbejnë më së miri afrimit, njohjes së përbashkët dhe shmangies së pengesave e sfidave në rrugën e përbashkët drejt integrimit europian.