Mbrëmjen e së shtunës, më datë 15 dhjetor, në skenën qendrore të Narodno Pozoriste në Beograd u shfaq opera “Karmen” e kompozitorit frëng Georges Bizet. Një grup solistësh nga trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Tiranës, si Vikena Kamenica në rolin kryesor të Karmenit, Armaldo Kllogjeri në atë të Don Hozesë, Armand Likaj në rolin e Eskamiljos dhe Renisa Latska të Mikaelas interpretuan krahas kolegëve të tyre beogradas.
Publiku artdashës i Beogradit që e kishte mbushur plot sallën e priti ngrohtësisht interpretimin mjeshtëror të këngëtarëve nga Tirana, duke duartrokitur gjatë dhe me ovacione.
Kjo shfaqje është pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy Operave të të dyjave vendeve dhe shkëmbimeve të ndërsjella të artistëve.