Më 26-28 shtator 2024, Ambasadori Bardhyl Canaj, zhvilloi vizitë në Luginën e Preshevës, gjatë së cilës zhvilloi takime me drejtuesit e institucioneve dhe subjekteve politike në Preshevë dhe Bujanoc.
Gjatë takimeve, Ambasadori Canaj theksoi se Lugina e Preshevës është një prioritet për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe së fundmi është krijuar një drejtori e posaçme e dedikuar enkas për shqiptarët në rajon. Kjo strukturë e re, do të jetë më efikase në trajtimin e problematikeve të shqiptarëve, dhe premton zgjidhje që mund të trajtohen dhe në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Serbi.
Në Preshevë, Ambasadori Canaj u prit në takim nga Kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani dhe Zëvendës Kryetari, z. Ragmi Mustafa.
Kryetarja Sinani u shpreh se ky takim ka një rëndësi të madhe, pasi i lidh jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me të ardhmen tonë të përbashkët. Për Preshevën është koha për një rrugë të re, për një koordinim më të fuqishëm me Shqipërinë. Në takim u diskutua mbi sfidat që prekin çdo ditë Luginën, si: pasivizimi i adresave, emigrimi i të rinjve, mungesa e investimeve, etj.
Në Bujanoc, Ambasadori Canaj u prit bashkërisht nga Kryetari i Komunës, z. Arbër Pajaziti, Ndihmësi i tij, z. Levent Qazimi dhe Kryetari i Kuvendit Komunal, z. Driton Rexhepi.
Drejtuesit e Bujanocit theksuan se pozita e tyre në Serbi meriton një vëmendje më të shtuar të shtetit amë dhe se roli i diplomacisë shqiptare është i pazëvendësueshëm në senzibilizimin e çështjeve tona tek faktorët ndërkombëtarë. Sa i përket ndihmave konktrete, ata kërkuan një qasje më aktive të Republikës së Shqipërisë, sidomos në aspektet që prekin sferat e identitetit kombëtar, duke propozuar një shtrirje të aktiviteteve konkrete përmes Drejtorisë për Shqiptarët në Rajon si një hap shumë i rëndësishëm edhe për shqiptarët në Luginë.
Gjatë vizitës në Luginë, Ambasadori Canaj zhvilloi takim me Deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi. Deputeti Kamberi e theksoi jashtëzakonisht të rëndësishme prezencën e Shqipërisë në Luginë dhe të patjetërsueshëm bashkëveprimin.
Në takimin e zhvilluar me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Nevzad Lutfiu, ky i fundit e falenderoi Ambasadorin Canaj për angazhimin e tij në emër të familjeve të studentëve shqiptarë që këtë vit përfituan bursa shkollimi në Universitetet e Shqipërisë.