-
Historiku / Marrëdhëniet Politike dhe Ekonomike
-
Marrëveshjet dypalëshe
Marrëdheniet dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë janë marrëdheniet e dy shteteve sovrane, të cilat kanë një histori të përbashkët shumëshekullore si popuj fqinjë, si dhe një periudhë afro një shekullore të marrëdhënieve diplomatike si shtete sovrane. Këto marrëdhënie janë shoqëruar gjithnjë me problematikën tipike të kohës e të rajonit të Ballkanit, duke kaluar momente të marrëdhënieve të mira e kontakteve të shpeshta, ashtu si edhe nëpërmjet krizave e periudhave të gjata të marrëdhënieve të acarta. Përfundimi i periudhës së Luftës së Ftohtë, ndarjes në blloqe, falimenti i sistemit komunist si dhe dizintegrimi i ish-Jugosllavisë kanë krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Midis dy vendeve janë krijuar kushte të reja e më të favorshme për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në të gjitha fushat politike, ekonomike, kulturore si dhe në zgjerimin e përditshëm të aktiviteteve që sjellin pranë të dy popujt tanë. Midis dy vendeve tona janë në fuqi dhe funksionojnë një numër i madh marrëveshjesh ndërshtetërore e akte normative dypalëshe, të vjetra e të reja, të cilat rregullojnë parimet kryesore dhe normat që drejtojnë marrëdhëniet midis të dy shteteve në të gjithë sektorët e jetës. Të tjera marrëveshje janë në procesin e negociimit dhe pritet që ta plotësojnë më tej këtë kuadër ligjor.
Qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë, duke marrë parasysh implikimet e shumëfishta që kjo marrëdhënie reflekton në nivel dypalësh dhe rajonal, duke përfshirë Kosovën dhe shqiptarët që jetojnë në rajon.
Vendet tona po rrisin bashkëpunimin dhe shkëmbimet e vazhdueshme në kuadrin e organizatave rajonale dhe nismave, si p.sh., Procesi i Berlinit, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), etj. Prej janarit 2021 ka hyrë në fuqi Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë të shtetasve vetëm me karta identiteti.
Ka indikatorë të kënaqshëm në planin ekonomik, volumi tregtar ka ardhur duke u rritur deri në vlerën 233 milionë €, ndërsa vijojnë shkëmbimet në fusha si turizmi, energjia, transporti etj. Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Serbi ka arritje në krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe investimeve të fokusuara në turizëm.
Qeveria shqiptare ndjek me vëmendje situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi. Mbështesim plotësisht politikën e mos diskriminimit dhe integrimin e tyre në institucionet shtetërore, gjë që nuk është thjesht një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në përputhje me standardet evropiane, por edhe gur themeli i forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.
Kërkesat tona bazohen në nevojat e tyre për të marrë atë që u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe përfshirje më të madhe në proceset integruese të Serbisë.
Marrëveshjet dypalëshe
1. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Këshillit Ekzekutiv Federativ të Kuvendit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bashkëpunimin shkencor, arsimor dhe kulturor, nënshkruar më 19.2.1988 dhe hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
2. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Jugosllavisë, nënshkruar më 28.3.2002.
3. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Federale të Republikës Federale të Jugosllavisë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 26.11.2002.
4. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, nënshkruar më 26.11.2002, hyrë në fuqi me 6.6.2004.
5. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Federale të Republikës Federale të Jugosllavisë për bashkëpunimin në fushën e mjekësisë dhe shkencave mjekësore. Nënshkruar më 26.11.2002.
6. Marrëveshje e tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë e Malit të Zi, nënshkruar më 13.11.2003.
7. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Serbisë dhe Malit të Zi për bashkëpunim në fushën e turizmit, nënshkruar më 22.12.2004, hyrë në fuqi më 28.12.2005.
8. Konventa ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Serbisë dhe Malit të Zi për shmangien e taksimit të dyfishtë lidhur me të ardhurat dhe mbi kapitalin, nënshkruar më 22.12.2004, hyrë në fuqi më 17.11.2005 dhe efektet financiare lidhur me tatimin mbi të ardhurat mbi kapitalin fillojnë më 1.1.2006.
9. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, nënshkruar në 20.5.2005.
10. Memorandum Mirëkuptimi mbi bashkëpunimin ndërmjet zyrës së Prokurorit Publik të Republikës së Serbisë dhe zyrës së prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 30.3.2005.
11. Marrëveshje mbi bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Serbisë dhe Malit të Zi, nënshkruar më 23.5.2005, hyrë në fuqi më 17.12.2005.
12. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Serbe, nënshkruar më 8.2.2006.
13. “Tirana Declaration” dokument i firmosur më 16.10.2007 mbi koordinimin e Sigurimeve sociale në Evropën Juglindore.
14. “Montenegro Conclusions” dokument i firmosur më 26.10.2007 gjatë forumeve të Konferencës së Tretë Ministrore mbi Punësimin dhe Politikat Sociale në Evropën Juglindore.
15. Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm ndërkombëtar të drogës dhe terrorizmit ndërkombëtar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, nënshkruar më 11.3.2010, hyrë në fuqi më 1.3.2012.
16. Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, nënshkruar më 11.3.2010.
17. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar dhe protokolli i tij i zbatimit, nënshkruar më 29.4.2011, hyrë në fuqi më 12.10.2011.
18. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, nënshkruar me 5.7.2011, hyrë në fuqi më 22.12.2011.
19. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës së Serbisë, nënshkruar më 31.3.2011, hyrë në fuqi më 4.10.2011.
20. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, nënshkruar në Beograd, më 27.4.2012, hyrë në fuqi më 29.11.2014.
21. Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Serbisë, propozimi i palës shqiptare. Memorandumi është nënshkruar ndërmjet palëve më korrik 2010.
22. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për ndihmën e ndërsjellë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore, nënshkruar më 10.11.2014, hyrë në fuqi më 1.6.2015.
23. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, për bashkëpunimin rinor, nënshkruar më 10.11.2014.
24. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, nënshkruar në Beograd më 17.12.2014, hyrë në fuqi më 20.10.2015.
25. Protokoll i Sesionit të 1 të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtar Shqiptaro-Serb, nënshkruar në Tiranë, më 16.4.2015.
26. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe anëtarëve të tjerë të nismës për reformën arsimore të Evropës Juglindore (ERI SEE), për selinë e Sekretariatit të ERI SEE, nënshkruar në Vlorë, më 2.7.2015.
27. Program bashkëpunimi në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës Shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias të Republikës së Serbisë, nënshkruar në Tiranë, më 22.2.2017.
28. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për bashkëpunim në turizëm, nënshkruar në Beograd, më 15.5.2018, hyrë në fuqi më 12.11.2019.
29. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”, nënshkruar më 9.11.2020, hyrë në fuqi më 20.1.2021.
30. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Serbisë, lidhur me implementimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të Operatorëve Ekonmikë të Autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 1.9.2022.
31. Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Minierave dhe Energjisë të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e minierave dhe energjisë, nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 2.9.2022.
Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vitit 2024
32. Akses i lirë në tregun e punës të Ballkanit Perëndimor. (Protocol on implementation of an agreement on conditions for free access to the Western Balkans labour market). Nënshkruar në Shkup më 22.01.2024
33. Integrimi i një skeme elektronike identifikimi për qytetarët e rajonit. (Protocol on connecting an electronic identification scheme for citizens of the region). Nënshkruar në Shkup më 22.01.2024
34. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës – Këshilli Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Unionit të Afaristëve Vizionit për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Nënshkruar në Preshevë më 22.04.2024
35. Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit midis Universitetit Evropian të Tiranës dhe Institutit Ndërkombëtar për Politikat dhe Ekonomitë, me qendër në Beograd. Nënshkruar në Beograd më 15.05.2024
36. Marrëveshje e binjakëzimit mes Bashkisë së Gjirokastrës dhe Komunës së Bujanocit (Lugina e Preshevës). Nënshkruar në Gjirokastër më 17.05.2024
37. Memorandumi i Bashkëpunimit mes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (Ministria e Kulturës) dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë. Nënshkruar në Tiranë më 17.05.2024