Me ndërmjetësimin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, më 29 prill 2025, në Preshevë, u nënshkrua Marrëveshja e Binjakëzimit ndërmjet Bashkisë së Korçës dhe Komunës së Preshevës.
Delegacioni i Bashkisë së Korçës, i udhëhequr nga Kryetari Sotiraq Filo, u mirëprit nga delegacioni i gjerë i Komunës së Preshevës, drejtuar nga Kryetarja e kësaj komune znj. Ardita Sinani, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Dr. Bardhyl Canaj.
Marrëveshja e Binjakëzimit është një hap i rëndësishëm që hap rrugë për bashkëpunim në arsim, kulturë, sport, zhvillim ekonomik e turizëm, duke forcuar lidhjet mes dy trevave. Ky është vetëm fillimi i një partneriteti që sjell zhvillim dhe mundësi të reja për Preshevën.
Ambasadës së Shqipërisë në Beograd iu shpreh mirënjohja për mbështetjen e vazhdueshme.