Më datë 7 mars, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, zhvilloi një vizitë njëditore me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit dhe 130-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, në komunat e Bujanocit dhe të Preshevës. Gjatë vizitës presidenti Nishani u shoqërua nga ambasadori i RSh në Beograd, z. Ilir Boçka. Ai u prit dhe u shoqërua edhe nga kryetari i Zyrës së Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, z. Zoran Stankoviç.
Presidenti Nishani e filloi vizitën e tij në qytetin e Bujanocit, ku u takua me Kryetarin e Komunës, zotin Shaip Kamberi, Nënkryetarin e Komunës, zotin Stojanča Arsić, deputetin shqiptar të parlamentit të Serbisë, zotin Fatmir Hasani, Kryetarin e Këshillit Kombëtar shqiptar Jonuz Musliu, për të vijuar më pas disa takime të veçanta me përfaqësues të partive politike shqiptare të komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Me rastin e 130-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe dhe Ditës së Mësuesit, Presidenti Nishani vizitoi shkollën fillore të fshatit Tërnoc. Kreu i Shtetit në të gjitha këto aktivitete përshëndeti dhe uroi në Ditën e Mësuesit, të gjithë mësuesit, edukatorët dhe pedagogët shqiptarë, kudo që ndodhen, në Shqipëri apo vendet e tjera të rajonit dhe në diasporë, duke vlerësuar me mirënjohje kontributin e tyre për edukimin e brezave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani bëri thirrje gjithashtu për të parë nga e ardhmja euroatlantike dhe jo kthimi pas në të shkuarën konfliktuale. “Le të ndërtojmë së bashku një rajon të vlerave, një rajon më human, një rajon ku qytetarët të jetojnë në paqe e në harmoni me njeri-tjetrin, një rajon ku s’ka vend për urrejtje dhe padurim ndaj tjetrit, një rajon ku respekti dhe mirëkuptimi të jenë vlera të qytetarisë evropiane” – u shpreh Presidenti Nishani.
Vizita historike, e para e këtij niveli nga një President i Republikës së Shqipërisë në Komunat e Bujanocit dhe të Preshevës u përcoll me dashuri nga popullsia shqiptare e këtyre komunave, si dhe nga drejtuesit e këtyre komunave.
Me rastin e vizitës u organizuan veprimtari kulturore-artistike në të dy komunat e vizituara nga Presidenti Nishani.