Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, z. Ilir Boçka, u prit në një takim nga Ministri i Turizmit dhe Rinisë së Republikës së Serbisë, z. Husein Memic. Takimi pati për qëllim diskutimin e bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Serbisë në fushat e turizmit dhe rinisë.
Z. Ambasador shprehu kënaqësinë e tij që intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe është përkthyer në vizita të shumta reciproke nga turistët. Shqipëria ka pritur mbi 200 mijë turistë serbë këto dy vitet e fundit dhe pret që ky numër të rritet në vitet në vijim.
Të dyja palët ranë dakord që rinia e të dy vendeve është çelësi i intensifikimit të mëtejshëm të raporteve njerëzore e shtetërore. Në këtë kuadër, u theksua puna e kryer nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Vuçiç për përcjelljen e një fryme të re në marrëdhëniet dypalëshe si dhe puna e kryer nga Iniciativa e Ballkanit të Hapur dhe Zyra Rinore për Bashkëpunimin Rajonal (RYCO), në kuadër të Procesit të Berlinit.
Z. Boçka i paraqiti, me këtë rast, Ministrit Memic ftesën e Ministres së Truizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro, për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili do të mbahet në datat 3 deri në 5 prill 2023, në Tiranë.