Historiku
Shqipëria, më 26 prill 1993, me anë të një Deklarate, ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe më 24.12.1993, ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me këtë vend. Pas këtij akti është vijuar me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për nxitjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë.
Angazhimi i përbashkët i qeverive të të dy vendeve tona ndaj vlerave evropiane dhe euroatlantike, ndaj respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë, përfshirë komunitetet pakicë, si dhe ndaj zbatimit të kritereve dhe standardeve ndërkombëtare në zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve të lira dhe sovrane i ka dhënë bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bazën e nevojshme për qëndrueshmëri dhe perspektive afatgjatë.
Në këtë kontekst, Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se ato janë në nivel shumë mirë. Në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me Maqedoninë dhe me bindjen se stabiliteti i këtij vendi fqinj është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe konsekuent në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë një karakteristikë të veçantë krahasuar me marrëdhëniet mes vendit tonë dhe shumë vendeve të tjera. Kjo, para së gjithash, shpjegohet me faktin se në Maqedoni jeton një popullsi shqiptare, e cila për nga numri dhe pjesëmarrja që ka në raport me popullsinë e përgjithshme të Maqedonisë, është element shtet-përbërës. Krahas këtij fakti shumë të rëndësishëm, duhet pasur parasysh se Shqipëria dhe Maqedonia ndajnë një vijë të gjatë kufitare (tokësore dhe ujore).
Mesazhet tona për faktorin shqiptar në Maqedoni inkurajojnë në vazhdimësi bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin institucional. Shqipëria është e bindur se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Në këtë drejtim, ajo ka dhënë mesazhin që të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut, shqiptare e maqedone, të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin në kohë e në tërësi të kësaj marrëveshjeje.
Me Maqedoninë e Veriut kemi interesa të forta bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh, jo vetëm si vende fqinje, por edhe si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë e cila mbulon rrethin konsullor: Strugë, Ohër, Manastir, Kërçovë, Dibër, Gjevgjeli, Resnje/rajoni i liqenit të Prespës, do të shërbejë për rritjen akoma më shumë të bashkepunimit midis dy vendeve.
Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar:
Forcimi i bashkëpunimi ekonomik, zhvillimi i shkëmbimeve tregtare, shtimi i projekteve ndërkufitare dhe rajonale, lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve, zhvillimi i projekteve në kuadër të Korridorit VIII, janë vetëm një pjesë e ndërveprimit midis dy qeverive. Ky bashkëpunim realizohet ndërmjet mekanizmave si: G2G, takimeve tri dhe katër-laterale, vizitave dypalëshe, forumeve të biznesit dhe B2B, konferencave zhvillimore, projekteve ndërkufitare, apo projekte në kuadër të BE-së, etj.
Lidhjet tregtare janë zgjeruar dhe vëllimi i tregtisë është rritur, pavarësisht faktit se jemi akoma shumë larg përdorimit të potencialit tonë të plotë. Nevojitet intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve tregtare, turistike, arsimore e kulturore etj.
Mareveshjet me Maqedonine e Veriut
- Protokoll midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë për hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar, nënshkruar më 12.12.1992.
- Marrëveshje për bashkëpunimin shkencor, teknik dhe teknologjik midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë, nënshkruar më 1.6.1994.
- Marrëveshje midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë për mbrojtjen dhe nxitjen e ndërsjellë të investimeve me Maqedoninë, nënshkruar më 4.12.1997, hyrë në fuqi me 3.4.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë për rindërtimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare dhe shenjave kufitare në kufirin shtetëror shqiptaro-maqedonas, nënshkruar më 4.12.1997.
- Marrëveshje mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Maqedonase, nënshkruar më 4.12.1997.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Maqedone për masat për parandalimin dhe zgjidhjen e incidenteve në kufirin shtetëror shqiptaromaqedonas, nënshkruar më 4.12.1997.
- Protokoll mbi bashkëpunimin ekonomik midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së bimëve, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë për transportin ndërkombëtar të udhëtareve dhe të mallrave, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë për ekzekutimin e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore për çështjeve penale, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ekstradimi ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë mbi bashkëpunimin në fushën e mjekësisë veterinare, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë për ndihmë juridike në fushën civile dhe penale, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, në lidhje me ndihmën e ndërsjellë dhe bashkëpunimin midis administratave të tyre doganore, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë Maqedonase për Shërbimet Ajrore ndërmjet dhe përtej territoreve të tyre respektive, nënshkruar më 4.6.1998, hyrë në fuqi në 1.1.2005.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverise Shqiptare dhe Qeverisë së Maqedonisë për shmangien e tatimeve të dyfishta, në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, nënshkruar më 15.1.1998.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vendosjen e linjës ndërkombëtare liqenore për pasagjerë Pogradec-Ohër, nënshkruar më 25.9.1999, hyrë në fuqi në 20.7.2005.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Maqedone për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, nënshkruar më 23.2.2001, hyrë në fuqi më 25.4.2003.
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Maqedone për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 23.2.2001, hyrë në fuqi më 18.2.2003.
- Marrëveshje për tregtinë e lirë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Maqedone, nënshkruar më 29.3.2002, hyrë në fuqi më 15.7.2002.
- Memorandumi i bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, nënshkruar më 17.6.2004.
- Memorandumi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të liqenit të Ohrit dhe pellgut të tij ujëmbledhës, nënshkruar në Shkup, më 17.6.2004.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ripranimin e personave, si dhe protokollin e saj, nënshkruar më 17.6.2004, hyrë në fuqi më 15.7.2005.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mbi bashkëpunimin në luftën ndaj terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të drogave narkotike, substancave psikotrope e prekursorëve, migracionit të paligjshëm dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, nënshkruar më 17.6.2004, hyrë në fuqi në 20.5.2005.
- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë lidhur me stërvitjen “Adriatic Engagement 05”, nënshkruar në Tiranë më 28.6.2005 dhe në Shkup në 8.7.2005.
- Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e kulturës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, nënshkruar më 16.11.2005, hyrë në fuqi më 5.1.2007.
- Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, nënshkruar më 16.11.2005, hyrë në fuqi më 10.5.2006.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për hapjen e pikës së kalimit kufitar rrugor ndërkombëtar midis dy vendeve “Xhepisht-Trebisht”, nënshkruar më 16.11.2005.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, nënshkruar në Tiranë, më 16.11.2005, hyrë në fuqi 4.4.2006.
- Protokoll dy palësh ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë dhe Konsorciumit AMBO “Për pikën hyrëse-dalëse të naftësjellësit Transballkanik AMBO”, nënshkruar më 30.10.2006.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, nënshkruar më 13.2.2008 dhe Protokolli i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve gjatë qarkullimit në zonat kufitare, nënshkruar më 19.2.2008, hyrë në fuqi më 28.8.2008.
- Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nënshkruar me 17.3.2011, hyrë në fuqi më 30.1.2012.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndryshimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, të nënshkruar më 19.2.2008”, nënshkruar më 14.12.2011, hyrë në fuqi më 6.4.2012.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë kundrejt Republikës së Maqedonisë, lidhur me shlyerjen e shumave në llogarinë e shkëmbimit të mallrave ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, nënshkruar në Tiranë më 18.6.2012 dhe në Shkup më 27.6.2012.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, nënshkruar në Tiranë, më 23.11.2012, hyrë në fuqi më 14.3.2013.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për pikën e përbashkët të kalimit kufitar, Trebisht–Xhepisht, nënshkruar në Tiranë, më 23.11.2012, hyrë në fuqi më 5.3.2013.
- Protokolli me shkëmbim notash diplomatike për zbatimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vendosjen e linjës ndërkombëtare liqenore OhërPogradec”, hyrë në fuqi më datë 4.8.2014.
- Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë për Mbrojtjen Shoqërore, nënshkruar më 17.3.2015, hyrë në fuqi më 1.6.2016.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës, nënshkruar në Vlorë, më 2.7.2015, hyrë ne fuqi më 23.2.2016.
- Marrëveshje Administrative për zbatimin e “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë për Mbrojtjen Shoqërore, nënshkruar më 17.3.2015”, nënshkruar më 11.7.2017, dhe hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çojnë në terrorizëm, nënshkruar më 15.12.2017.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për themelimin e Qendrave Kulturore dhe Informative në Republikën e Shqipërisë dhe Qendrave Kulturore dhe Informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nënshkruar në Uashington, më datën 3.4.2019, hyrë në fuqi më 1.4.2020.
- Aneksi Protokollit Shtesë mbi Intensifikimin e Bashkëpunimit në Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore përmes Kufijve Shtetërorë dhe për intensifikimin e Identifikimit, Njoftimit, Referimit dhe Kthimit të Asistuar të Viktimave, si dhe të personave të dyshuar si Viktima të Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në plotësim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në Luftën Kundër Terrorizmit, Krimit të Organizuar, Trafikut të Paligjshëm të lëndëve Narkotike, Substancave Psikotrope dhe Pararendësve të tyre, Migracionit të Paligjshëm dhe aktiviteteve të tjera të Paligjshme, nënshkruar më 14.9.2007.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e diasporës, nënshkruar më 5.2.2021, hyrë në fuqi më 14.2.2023.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruar më 10.6.2021, hyrë në fuqi më 1.2.2022.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për krijimin e task forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, nënshkruar më 14.11.2022.
- Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për kthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës, nënshkruar më 14.11.2022, hyrë në fuqi më 5.7.2023.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e shërbimeve të trafikut ajror në një pjesë të hapësirës ajrore mbi liqenin e Ohrit, nënshkruar më 14.11.2022, hyrë në fuqi më 23.6.2.2023.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për transport ndërkombëtar ujor në liqenin e Ohrit, nënshkruar më 14.11.2022.
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e lidhjes rrugore ndërmjet dy vendeve, nënshkruar më 14.11.2022.