Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Strugë, z. Petrit Musaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Komunën e Manastirit, ku u prit nga Kryetari i Komunës, z. Toni Konjanovski.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese. Gjatë bisedës, palët vlerësuan lidhjen e veçantë historike të shqiptarëve me Manastirin, bashkëpunim që kjo komunë ka me palën shqiptare, me komunat e Pustecit dhe Korçës në kuadër të projekteve të mbështetura nga programi për bashkëpunim ndërkufitar.
Po ashtu, në takim u diskutua për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis bizneseve në tërësi e në mënyrë të veçantë të atyre që operojnë në fushën e turizmit si një potencial i madh ekonomik për të dy vendet. U theksua rëndësia e angazhimit për nxitjen e projekteve të përbashkëta në këtë drejtim. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte ideja e binjakëzimit të qytetit të Manastirit me një qytet në Shqipëri, si një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe institucional, shprehje e vullnetit të përbashkët për të ndërtuar ura edhe më të forta miqësie dhe bashkëpunimi.
10.04.2025