Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Strugë, z. Petrit Musaj vizitoi Muzeun e Alfabetit në Manastir,
Gjatë vizitës, Konsulli u prit nga drejtori i Muzeut, z. Nuer Arsllani dhe stafi i muzeut. U diskutua për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe historik për shqiptarët si dhe rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe forcimin e lidhjeve kulturore dhe historike ndërmjet shqiptarëve në rajon.
U theksua gjithashtu rëndësia që ka edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezave të rinj mbi historinë e gjuhës shqipe dhe përpjekjeve për identitetin kombëtar.
Pasi vlerësoi se Muzeu i Alfabetit në Manastir nuk është thjesht një institucion kulturor; por një tempull i dijes, i gjuhës dhe i bashkimit të shqiptarëve, Konsulli u shpreh i impresionuar për punën e stafit të muzeut në përgjithësi, mënyrën e ruajtjes dhe prezantimit të dokumentacionit historik në muze, si dhe u zotua për bashkëpunim dhe mbështetje institucionale në promovimin e muzeut dhe angazhimin për projekte të përbashkëta midis Muzeut dhe Konsullatës në të ardhmen.
10.04.2025