Sot, u mbajt ceremonia zyrtare e Hapjes se Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë ne Strugë me prezencën e Sh.T.Z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të SH.T.Z Timço Mucunski, Ministër për Punët e Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo ngjarje është dëshmi konkrete e vullnetit të dy qeverive tona për të thelluar bashkëpunimin politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor, duke vendosur një urë më të fortë komunikimi dhe bashkëjetese mes dy popujve tanë. Hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë merr një domethënie të veçantë: jo vetëm si një zgjerim diplomatik, por si një kthim simbolik në një vend që gjithmonë ka qenë dhe mbetet zemër shqiptare në këtë hapësirë.
Struga, me historinë dhe pasurinë e saj kulturore, qendër e rëndësishme turistike dhe ekonomike së shpejti me ndertimin edhe te koridorit 8 dhe portit te thatë të Durrësit, me vendkalimin më të rëndësishëm kufitar midis dy vendeve tona, qyteti ku bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve është shembull frymëzues për të gjithë Maqedoninë por edhe për rajonin., një qytet simbol i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe që vazhdon të mbetet një urë lidhëse mes historisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Konsullata e Përgjithshme, tashmë një realitet në Strugë prej disa muajsh, do të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë, punojnë apo vizitojnë këtë zonë. Ajo do të ofrojë shërbime konsullore me përkushtim, profesionalizëm dhe respekt për çdo individ, dhe do të jetë gjithashtu një pikë reference për nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar, zhvillimin ekonomik dhe shkëmbimet kulturore.
Le të jetë kjo Konsullatë një simbol i miqësisë dhe i të ardhmes së përbashkët evropiane.
Newsroom
Ceremonia e Hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë