Ambasadori i RSH-së në Bernë, z. Ermal Dredha, gjatë fundjavës, mori pjesë në premierën “Kostumet Popullore, Identitet Kombëtar”, një aktivitet i veçantë i organizuar nga znj. Flora Balaj në Bernë.
Ky event solli para publikut një pasuri të vyer të trashëgimisë sonë kulturore, përmes prezantimit të kostumeve popullore nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe dokumentarit “Sfilatë e Kostumeve Shqiptare në Zvicër”, nga regjisori Llesh Nikolla, duke dëshmuar përkushtimin dhe pasionin në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar edhe jashtë atdheut.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Dredha vlerësoi lart organizimin e këtij aktiviteti kaq të bukur dhe domethënës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë, falë angazhimit të palodhur të znj. Flora Balaj.
Gjatë ceremonisë, Ambasadori ndau një certifikatë mirënjohjeje për mjeshtrin e madh, z. Llesh Nikolla, nga “Parlamenti Paqësor i Kombit Shqiptar”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.



