Ambasadori Ermal Dredha, mori pjesë në aktivitetin “Albanian Startups Diaspora Roadshoë”, në Zyrih, një nismë e organizuar nga Startup Albania dhe projekti EU4Innovation, në bashkëpunim me GIZ-Albania, me synim forcimin e lidhjeve ndërmjet startup-eve shqiptare dhe profesionistëve, investitorëve e sipërmarrësve të diasporës shqiptare në Zvicër.
Në panelin e diskutimit morën pjesë gjithashtu, Drejtori i Startup Albania, Arjan Ymeri, Eniada Halebi, eksperte e ndërthurjes së biznesit, teknologjisë dhe zhvillimit ndërkombëtar, e cila operon mes Zvicrës dhe Shqipërisë dhe Lirim Krasniqi, bashkë-drejtues i Germin, organizatës që tash e më shumë se një dekadë punon në ndërlidhjen e diasporës, të cilët ndanë eksperiencat dhe perspektivat e tyre mbi zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes shqiptare.
Në fjalën e tij, Ambasadori Dredha theksoi rëndësinë e angazhimit të diasporës shqiptare, veçanërisht në Zvicër, në mbështetjen e startup-eve dhe iniciativave inovative në Shqipëri. Ai vuri në dukje politikat incentivuese dhe mbështetjen finaciare që ofron qeveria shqiptare për zhvillimin e ideve të reja, investimeve dhe bashkëpunimeve strategjike, si dhe mundësitë konkrete që ekzistojnë sot për të rinjtë dhe sipërmarrësit shqiptarë, jashtë dhe brenda vendit.
Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe katër startup-e shqiptare të përzgjedhura si ndër më inovativet, në fushën e mjekësisë, bujqësisë, riciklimit të qelqit dhe siguria kibernetike në sistemin bankar. Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për krijimin e urave të reja bashkëpunimi ndërmjet diasporës shqiptare dhe ekosistemit të startup-eve në Shqipëri.
Shqipëria i pret krahëhapur të gjithë të rinjtë e talentuar që duan të investohen në fushën e inovacionit, si një aset i patjetërsueshëm që ecin me hapin e kohës.



