Në kuadër të angazhimit të Ambasadës për promovimin e produkteve shqiptare, kulturës dhe vlerave tona kombëtare, Ambasadori i RSH-së në Zvicër, Z. Ermal Dredha , mori pjesë në një mbrëmje të veçantë në Zug, ku u prezantuan dhe u degustuan tetë varietete të verërave shqiptare nga Kantina Nurellari.
Të pranishëm ishin sipërmarrës shqiptarë nga fusha të ndryshme, personalitete të arsimit, mjekësisë, medias dhe diplomacisë, si dhe Ambasadori i Kosovës, z.Mentor Latifi.
Levent Nurellari, pronari i Kantinēs Nurellari, prezantoi me shumë pasion historinë, karakteristikat dhe veçantitë e secilit varietet, duke dëshmuar traditën dhe cilësinë në rritje të verës shqiptare.
Mbrëmja vijoi me prezantimin e platformës arsimore rrituShqip, një iniciativë e Granit dhe Gramend Tetajt, e cila synon të mbështesë mësimin e gjuhës shqipe dhe lidhjen e brezave të rinj me identitetin e tyre kulturor.
Ambasadori Dredha vlerësoi cilësinë dhe potencialin e produkteve Made in Albania, duke theksuar se tashmë, verërat shqiptare janē prezantim i shkëlqyer i traditës, kulturës dhe zhvillimit ekonomik të vendit në tregjet ndërkombëtare.
Faleminderit Albert Osmanit, Granit & Gramend për organizimin dhe Suksese Levent & Kantina Nurellari, në tregun Zvicerian!




