Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, organizoi një ekspozitë të veçantë me temën “Liria Erdhi me Mua”, në kuadër të festimeve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. Kjo ekspozitë ishte një mundësi e shkëlqyer për artistët që jetojnë në Zvicër të shprehin nderimin e tyre për dëshmorët dhe atdhetarët e shquar që dhanë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për lirinë e Kosovës.
Ngjarja, e cila u hap mbrëmë (17.02.2025) në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë, tërhoqi shumë artistë dhe veprimtarë nga diaspora shqiptare, duke krijuar një mjedis të ngrohtë e mbresëlënës, të pasur me frymën e unitetit dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm diplomatët nga Ambasada Shqiptare, znj. Monika Zguro dhe z. Valon Gashi, familjarë të heronjve të Kosovës, përfaqësues të spikatur të diasporës shqiptare në Zvicër, si dhe shumë artistë dhe veprimtarë të njohur, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Zvicër.













