Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha , mori pjesë në një aktivitet kulturor të organizuar në Gjenevë nga znj. Albana Krasniqi-Malaj, Drejtoreshë e Universitetit të Kulturave në Gjenevë (UPA). Aktiviteti u zhvillua në kuadër të kremtimit të hapjes së shkollës së parë shqipe, përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe 30-vjetorit të UPSH-UPA.
Qëllimi i këtij organizimi ishte vlerësimi dhe kultivimi i gjuhës amtare, duke marrë si shembull komunitetin arbëresh, i cili prej më shumë se gjashtë shekujsh ka ruajtur gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin shqiptar, ndërkohë që është integruar me sukses në shoqërinë italiane.
Ky model u paraqit si një shembull frymëzues për brezat e rinj të diasporës shqiptare. Të pranishëm ishin dhe një grup arbreshësh të ardhur nga Kalabria, deputet shqiptar në parlamentin e Gjenevës, si dhe nga përfaqësues nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Dredha vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar në Zvicër.
Ai informoi gjithashtu për organizimin e Samitit të IV të Diasporës, që do të zhvillohet në Tiranë më 14–15 prill 2026, duke ftuar komunitetin shqiptar në Zvicër të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme.



