Në hapësirën “Art Espace – Le 20” në Lausanne u zhvillua një mbrëmje homazh me titull “FRANKO! – Jeta dhe tingulli i Francesk Radi-t”, kushtuar kantautorit të shquar të muzikës së lehtë moderne shqiptare, në 75-vjetorin e lindjes së tij.
Ekspozita u organizua nga Swiss Albania Event, nën koordinimin e znj. Aina Hoti, në bashkëpunim me znj. Tefta Radi dhe kuratorin Elian Stefa, duke sjellë për publikun kujtime, dokumente dhe momente të veçanta nga jeta dhe krijimtaria e artistit.
Në këtë veprimtari morën pjesë artdashës, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe miq të kulturës shqiptare në Zvicër.
Nga Ambasada e RSh-ë në Bernë, ishte i pranishëm z. Valon Gashi, Sekretar i Parë, i cili vlerësoi kontributin e Francesk Radit në modernizimin e muzikës shqiptare dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë artistike.
Një mbrëmje plot emocion dhe respekt, që solli përpara publikut figurën e një artisti të jashtëzakonshëm, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës shqiptare.



