Më 15-16 nëntor , në Lozanë u zhvillua edicionin i parë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Ilirët Jehojnë”. Ky aktivitet mblodhi qindra pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar në Zvicër dhe vendet përreth, duke shënuar një ngjarje të veçantë kulturore në vigjilje të festave të Nëntorit.
Në festival morën pjesë 12 grupe rinore artistike nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, të cilët me energji, talent dhe përkushtim vazhdojnë të ruajnë dhe transmetojnë traditën dhe kulturën shqiptare për brezat e rinj.
Nga Ambasada ishte i pransishëm, Sekretari i Parë, z. Valon Gashi, Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, znj. Eriselda Sefa, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Kantonit të Lozanës, z. Musa Kamenica, si dhe Shefja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve zvicerane, intelektualë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar.
Me këtë rast, Ambasada priti në një takim kortezie znj. Eriselda Sefa, ku u diskutua mbi projektet që Bashkia Lushnjë po realizon me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane, si dhe mbi mundësitë për nisma të reja bashkëpunimi me qytete dhe institucione zvicerane.
Festivali “Ilirët Jehojnë” shënon vazhdimin e tradites, që forcon lidhjet kulturore dhe shoqërore midis komunitetit shqiptar dhe Zvicrës, veçanërisht në muajin e festave të krenarisë sonë kombëtare.



