Administratori i Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj, në kuadër të një vizite zyrtare, zhvilloi disa takime të rëndësishme në Unionin e Përbotshëm Postar (UPU) me drejtuesit më të lartë të këtij institucioni ndërkombëtar në Bernë.
Në takimet me Drejtorin e Përgjithshëm të UPU-së, z. Masahiko Metoki, Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm, z. Marjan Osvald, Drejtorin e Bashkëpunimit për Zhvillim, z. Mutua Muthusi, si dhe Këshilltarin Special të Drejtorit të Përgjithshëm, z. Yuji Aoki, u vlerësua pozitivisht performanca e Postës Shqiptare, progresi në modernizimin e shërbimeve, përmirësimi i treguesve operacionalë dhe angazhimi në proceset e transformimit dixhital. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre reformave në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të sektorit postar.
Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimeve me z. Marjan Osvald dhe z. Mutua Muthusi, u diskutuan zhvillimet aktuale globale të sektorit postar, sfidat që lidhen me rënien e volumeve tradicionale dhe nevoja për orientim të përshpejtuar drejt e-commerce, përmes rritjes së efikasitetit operacional, standardizimit të proceseve dhe ndërveprueshmërisë teknologjike. U trajtuan edhe mundësitë e mbështetjes së Postës Shqiptare nga UPU për forcimin e kapaciteteve njerëzore, certifikimet sipas standardeve të cilësisë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Në vijim, u zhvillua një takim me znj. Fumiko Nohara, përfaqësuese e Fondit Japonez për Zhvillim, ku u diskutua mundësia e aplikimit të Postës Shqiptare në projekte që lidhen me masat parandaluese dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, me synim rritjen e reziliencës dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve postare në situata emergjente.
Këto takime riafirmojnë angazhimin e Postës Shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm, forcim institucional dhe integrim të mëtejshëm në arkitekturën ndërkombëtare postare, në funksion të ofrimit të një shërbimi modern, efikas dhe të besueshëm për qytetarët dhe biznesin.



