Më 17 janar 2026, në Langenthal, Zvicër, u zhvillua një mbrëmje kulturore me vlera të veçanta për diasporën shqiptare, kushtuar promovimit të librave “Udhëtim drejt Rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik”, kushtuar Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri nga autorët Dr. Dashnim Hebibi dhe z. Florim Useini.
Në këtë aktivitet, i cili mblodhi personalitete nga fusha e diplomacisë, kulturës dhe jetës publike nga Zvicra, Gjermania, Italia, Shqipëria dhe Kosova. Ambasada u përfaqësua nga Zj. Monika Zguro, e Ngarkuar me Punë, dhe z. Valon Gashi, Sekretar i Parë. Gjatë mbrëmjes u vlerësua roli i rëndësishëm i librit, kulturës dhe bashkëpunimit institucional në forcimin e lidhjeve me diasporën.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zj. Monika Zguro theksoi se, në një kohë kur lëvizja, emigrimi dhe ndërkulturaliteti janë pjesë e përditshmërisë sonë, vepra të tilla marrin një domethënie të veçantë, duke shërbyer si ura lidhëse mes brezave, vendeve dhe përvojave të ndryshme jetësore.
Një moment me domethënie të veçantë ishte edhe ndarja, për herë të parë, nga Instituti Helvetik i Studimeve për Evropën Juglindore, i themeluar nga Dr. Dashnim Hebibi, i çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” për Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri, në prani të z. Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemalit.
Ambasada përgëzon organizatorët si z.Hebibi dhe z.Useini për realizimin e kësaj mbrëmjeje dinjitoze, e cila dëshmoi edhe një herë se kultura dhe fjala e shkruar mbeten ura të fuqishme bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen.



