Pjesë e bisedimeve, rrugëtimi evropian i Shqipërisë dhe Samiti i Komunitetit Politik Evropian
Tiranë, 9 Prill 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka mikpritur sot Ministrin Francez të Deleguar për Evropën, z. Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dy-ditore në Shqipëri.
Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Sipas Ministrit Hasani, vizita e z. Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.
Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, z. Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.
“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Ministri Hasani.
Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025. Ministri Hasani u shpreh se:
“Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.
Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. “Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi Ministri Hasani.