Tiranë, 19 dhjetor 2024 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani priti në vizitë zyrtare në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski. Vizita u vlerësua si një moment i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë.
Dy ministrat konfirmuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh dhe rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të tij në fusha me interes të ndërsjellë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, pas takimit dypalësh, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani e cilësoi Konferencën e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, si hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.
“Ky proces i hapjes së kapitujve është jetik për integrimin dhe hapja e Grup-Kapitullit 6, që lidhet me politikën e jashtme dhe sigurinë, është një gur kilometrik për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ministri Hasani.
Ministri Sikorski ri konfirmoi mbështetjen e Polonisë, si Kryesuese e BE gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe shprehu gatishmërinë për të ndarë me ne përvojën dhe ekspertizën polake të përfituar gjatë këtij procesi.
“Shqipëria ka dëshmuar angazhimin në reforma, sidomos në sundimin e ligjit apo respektimin e të drejtave të njeriut. Ne jemi gati për hapa konkretë për t’ju mbështetur në procesin e integrimit”, deklaroi ministri Sikorski.
Dy homologët konfirmuan angazhimin e dy vendeve për të rritur ndjeshëm vëllimin e shkëmbimeve dhe investimeve, duke shfrytëzuar mundësitë e pafundme që ofron sektori i turizmit, bujqësisë, energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë.
Në vitin 2023 Shqipëria u vizitua nga 232,970 turistë polakë, një rritje prej 39% krahasuar me vitin 2022. Ky trend është rritur edhe më tej gjatë vitit 2024, me një rritje prej 45.4% të numrit të turistëve polakë, një tregues i fortë i mundësive të mëdha për bashkëpunim në këtë sektor.