Tiranë, 5 nëntor 2024 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në konferencën “Gruaja, Paqja, Siguria,” ku u diskutua roli thelbësor i grave dhe vajzave, në proceset vendimmarrëse për paqen dhe sigurinë.
Ministri Hasani nënvizoi angazhimin e Shqipërisë ndaj agjendës mbi gratë, paqen dhe sigurinë, dhe avancimit të të drejtave të grave në vendimmarrje.“ Nëse synimi ynë është të arrijmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë, atëherë duhet të vendosim në qendër të përpjekjeve për paqe dhe siguri, fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për këtë, nevojiten veprime konkrete dhe një angazhim gjithëpërfshirës që gratë të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe zërat e tyre të dëgjohen dhe të vlerësohen. Kjo është një çështje e drejtësisë, e barazisë dhe e paqes – me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë të përbashkët”, nënvizoi Ministri Hasani.Aktiviteti, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UN Women Albania, përkoi me 25 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.