Nënshkruhet marrëveshje mes MEPJ dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë
Tiranë, 29 Prill 2025 – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) kanë nënshkruar një marrëveshje institucionale, e cila do të ndihmojë në evidentimin e kontributit të diplomacisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Bashkëpunimi ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike, si dhe nxitjen e studimeve shkencore dhe botimeve dokumentare që ndriçojnë periudhën e luftës në Kosovë dhe kontributin e diplomacisë shqiptare.
Ky hap është një njohje e rëndësishme për punën e palodhur të diplomatëve shqiptarë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, të cilët i dhanë Shqipërisë dhe Kosovës një zë të fuqishëm në forumet ndërkombëtare.
Përmes kësaj marrëveshjeje, ne sigurojmë që dokumentet e çmuara të cilët pasqyrojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të diplomacisë shqiptare të jenë në dispozicion të studiuesve dhe të brezave të ardhshëm, duke ndihmuar në ruajtjen e së vërtetës dhe drejtësisë.
Duke u angazhuar për të ndihmuar në dokumentimin dhe analizën e këtij kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, ne po hapim mundësi të reja për kërkime shkencore dhe aktivitete të përbashkëta, që do të sjellin më afër të vërtetat e historisë sonë kombëtare.