Tiranë, 13 dhjetor 2024– Në cilësinë e kryesisë shqiptare për vitin 2024, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpriti takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A5), që shënon dhe përfundimin e kryesisë shqiptare për këtë vit të kësaj nisme. Në të ishin të ftuar Ministrat e vendeve të Kartës SHBA-Adriatike (Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), si edhe vendeve vëzhguese (Kosova, Serbia dhe Sllovenia, me statusin e të ftuarit).
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare dhe vëzhguese të Kartës SHBA-Adriatike shërbeu për të shkëmbyer mendime mbi perspektivat e rajonit tonë, në një kohë kur rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione të shtuara si dhe me pasojat e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Në këtë kuadër, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtarë dhe vëzhguese të A-5 diskutuan mbi mundësitë për të forcuar bashkëpunimin e tyre të ardhshëm kundër kërcënimeve hibride, veçanërisht atyre kibernetike, duke nënvizuar idenë se A5 mund të shërbejë si një platformë e suksesshme në të ardhmen për të rritur qëndrueshmërinë rajonale ndaj kërcënimeve kibernetike dhe atyre hibride. Gjithashtu, Ministrat diskutuan mbi alternativat e mundshme për të forcuar rolin politik dhe instrumentet relevante të Kartës së Adriatikut, si mjete për të adresuar sfidat bashkëkohore të sigurisë në rajonin tonë.Në ndërhyrjen e tij, Ministri Hasani, theksoi nevojën e një vëmendje të shtuar të NATO-s dhe të BE-së për rajonin tonë, duke theksuar rëndësinë e tij strategjike, të shprehur dhe në Samitin e fundit të Uashingtonit. Po ashtu, Ministri Hasani nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në dobi të sigurisë, ndërsa dënoi ashpër sulmin terrorist të 30 nëntorit në Veri të Kosovës duke kërkuar që ky akt kriminal të hetohet dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu, në cilësinë e kryesueses së ardhshme të A5 për 2025, ju kërkua edhe një herë Bosnje dhe Hercegovinës që çështja e anëtarësimit të Kosovës në A5 të gjejë një zgjidhje të shpejtë, duke e parë atë si një domosdoshmëri për sigurinë e të gjithë rajonit.