Të pranishëm, edhe mbi 100 studentë shqiptarë dhe akademikë nga universitete italiane dhe shqiptare
Vatikan, 5 Shkurt 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Igli Hasani dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër Audiencën e Përgjithshme të Papa Françeskut, një aktivitet që forcon lidhjet kulturore dhe arsimore mes dy vendeve.
Të pranishëm ishin gjithashtu edhe mbi 100 studentë shqiptarë dhe akademikë, të cilët vinin nga 7 universitete të ndryshme shqiptare dhe italiane: Universiteti i Tiranës, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë” Tiranë, Universiteti i Mjekësisë Tiranë, Universiteti “Mesdhetar” Tiranë, Universiteti i Studimeve të Perugia-s, Universiteti “La Sapieza” Itali, dhe Universiteti “Roma Tree” Itali.
Papa Françesku vuri theksin tek rëndësia e vlerave humane dhe angazhimi i përbashkët në promovimin e paqes, drejtësisë dhe vëllazërisë. Pas Audiencës së Përgjithshme, Ati i Shenjtë Françesku përshëndeti ministrat shqiptarë me delegacionet, studentët dhe akademikët e pranishëm. Pjesëmarrësit bënë gjithashtu edhe kalimin e Portës së Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet. Selia e Shenjtë e ka shpallur vitin 2025, si Vit Jubile. Sipas traditës biblike, Viti Jubilar është një vit i veçantë i faljes universale.
Në Vatikan, Ministri Hasani dhe Ministrja Manastirliu zhvilluan një takim edhe me Shkëlqesinë e Tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Përgjatë këtij takimi, palët u fokusuan në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe tek angazhimi i përbashkët për të çuar më lart progresin e këtyre marrëdhënieve.
Dy ministrat u takuan gjithashtu edhe me studentë shqiptarë dhe akademikë të universiteteve shqiptare dhe italiane. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani vlerësoi rolin që ka rinia si burimi më i madh i vendit për të tashmen dhe të ardhmen. “Historia na ofron një leksion të vyer: janë të suksesshëm e të begatë ata kombe që dinë t’i bashkojnë dhe jo t’i mbajnë larg, pa i shfrytëzuar, potencialet e tyre. Ajo që vlen theksuar është që, të gjithë ne, të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria e vogël, veç pasurive të tjera, shpirtërore e materiale, ka edhe një thesar me një potencial të jashtëzakonshëm: rininë.” – teksa u bëri thirrje studentëve të aplikojnë në pozicionet e hapura në administratë publike.
Për sa i përket diasporës, Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash për t’i dhënë një rol të ri dhe një fytyrë të re diasporës, duke e shndërruar në një faktor aktiv të zhvillimit kombëtar.