Në sallën e Qendrës Mediatike të “GDIP”, u mbajt prezantimi i botimit të njëzet e gjashtë të vjetarit shkencor “Ukraina Diplomatike”, i cili pasqyron zhvillimet më të fundit diplomatike dhe analizon sfidat e jashtëzakonshme me të cilat përballet Ukraina që nga fillimi i luftës.
Në këtë eveniment morën pjesë përfaqësues të ambasadave, diplomatë ukrainas, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë dhe media. Fjalët hyrëse u mbajtën nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Eugene Perebijnis, dhe Drejtori Ekzekutiv i DP “GDIP”, Pavlo Kryvonos, të cilët vlerësuan traditën e vjetarit “Ukraina Diplomatike” si një burim të çmuar të mendimit dhe kujtesës diplomatike ukrainase.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, z. Ermal Filo, vlerësoi botimin si një platformë të rëndësishme për dialog profesional dhe analizë të diplomacisë moderne, duke veçuar pasqyrimin në këtë edicion të hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, më 17 Janar 2025, në një moment jashtëzakonisht të vështirë për Ukrainën që nga fillimi i luftës. Ky hap historik forcoi marrëdhëniet shqiptaro-ukrainase dhe reflektimi në këtë botim edhe i intervistës së veçantë me Ambasadorin Filo, nxjerr në pah dimensionin human dhe diplomatik të momentit.
Në përmbyllje, Ambasadori Filo falënderoi GDIP për bashkëpunimin dhe uroi sukses të mëtejshëm në botimet e ardhshme që pasqyrojnë jo vetëm analizën profesionale mbi aktivitetin diplomatik, por edhe angazhimin konkret të shteteve mike si Shqipëria në mbështetje të Ukrainës.





