Historik i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi politik
Marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve u vendosën më 1 gusht 2006, pas pavarësisë së Malit të Zi.
Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë shumë të mira. Dy takimet e qeverive- G2G- më 3 korrik 2018 dhe G2G e dytë, më 27 shkurt 2023, si dhe shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë janë tregues të intensifikimi të dialogut politik. Ndërmjet dy vendeve ka një bashkëpunim të shtuar lidhur me NATO, BE, bashkëpunimin rajonal/iniciativat rajonale dhe takimeve trepalëshe Shqipëri-Mali i Zi dhe Kroaci.
Bashkëpunimi ekonomik
Bashkëpunimi me Malin e Zi është përqendruar në zbatimin dhe implementimin e marrëveshjeve/protokolleve të nënshkruara ndër vite. Gjatë G2G janë nënshkruar marrëveshje/protokolle bashkëpunimi në fushën e turizmit, kulturës, ekonomisë, bashkëpunimit kufitar, menaxhimit të ujërave dhe emergjencave civile, të cilat kanë fokus të veçantë konkretizimin e projekteve të përbashkëta kufitare, autostradës Adriatiko-Joniane si dhe ngritjes së linjës infrastrukturore mes Velipojës dhe Ulqinit.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapësira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, turizmit etj. Bashkëpunimi ekonomik ka ruajtur një trend pozitiv, ndonëse nuk përputhet me nivelin e lartë të dialogut politik. Qytetarët e të dyja shteteve udhëtojnë drejt vendeve respektive vetëm me kartë identiteti.
Shqiptarët në MZ
Shqiptarët në Mal të Zi kanë dhe po luajnë një rol vendimtar për të ardhmen euroatlantike të vendit dhe për ruajtjen e kohezionit të shoqërisë dhe vendit. Shqipëria ka mbështetur popullsinë shqiptare në Mal të Zi, duke i inkurajuar dhe mbështetur respektimin e të drejtave të shqiptarëve, bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik, në shërbim edhe të perspektivës evropiane të MZ. Qeveria e RSH mbështet financiarisht Këshillin Kombëtar te Shqiptarëve përmes një fondi të përvitshëm, i cili shkon për organizimin e projekteve apo aktiviteteve që kanë të bëjnë me promovimin e kulturës dhe traditave tona.