Kolektivi i nxënësve dhe i mësuesve të dy shkollave të mesme, “të binjakëzuara”, “Vëllazërim-Bashkimi” në Ulqin dhe “7 shtatori” në Prishtinë, duke vizituar Konsullatën e Përgjithshme të RSH-së në Ulqin (KPU), nuk u njohën vetëm formalisht me veprimtarinë dhe rëndësinë e çeljes së saj. Bashkëbisedimi dhe interesimi hodhi perspektivën e mundshme “të trinjakëzimit” edhe me shkollat e mesme në Shkodër, për të bashkërenduar kësisoj, në fragmentin e dhënë, sinergjinë me frymë kombëtare midis shqiptarëve të brezit të ri në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.
Kjo frymë e vizitës natyrshëm vijoi me transmetimin, në mjediset e KPU-së, të filmit dokumentar edukativo-historiko-patriotik, “Ulqini dhe pavarësia e Shqipërisë”, një prodhim vendas i autorit Mustafa Canka, mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi. Sfondi historik i intrigave ballkanike dhe i Fuqive të Mëdha, roli dhe fati i Ulqinit, i lidhur ngushtë me Shkodrën, në kontekstin e pavarësisë së Shqipërisë, ngjallën kureshti dhe interes të veçantë tek të pranishmit.






