Mesazhi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në rrjetin social X:
8 Marsi rikthehet çdo vit si një kujtesë e fuqishme e forcës që mban të bashkuara familjet, komunitetet dhe shoqëritë: qëndrueshmëria, vendosmëria dhe vizioni i #grave dhe #vajzave.
Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo forcë është e dukshme çdo ditë.
Sot, gratë përbëjnë shumicën në Trupën tonë Diplomatike; shumë prej tyre mbajnë pozicione kyçe drejtuese – përfshirë të tre zëvendësministrat, një numër ambasadoresh dhe anëtare të ekipt të lartë drejtues – duke kontribuar në formësimin e angazhimit të Shqipërisë në botë. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe lidershipit të tyre, ato japin një kontribut vendimtar në avancimin e prioriteteve tona, dialogut dhe bashkëpunimit.
Shqipëria është veçanërisht krenare që e vendosi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në qendër të punës së saj gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nxitja e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje mbeten angazhime thelbësore të politikës sonë të jashtme.
Në këtë #Ditë Ndërkombëtare të Gruas, në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha gratë që i shërbejnë vendit tonë me integritet dhe përkushtim, shpesh edhe në mjedise të vështira dhe sfiduese, si dhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri dhe në mbarë botën.
LINK: https://x.com/hoxhafer/status/2030562947504738397?s=46


