Z. President,
Shqipëria falënderon Drejtoreshën Ekzekutive për fjalën e saj hapëse dhe vlerëson udhëheqjen e saj në një kohë kur konteksti global, në të cilin përpiqemi të avancojmë barazinë gjinore, po bëhet gjithnjë e më sfidues.
Shkëlqesi, të nderuar kolegë,
Vijojmë të jemi dëshmitarë të zhvillimeve shqetësuese: arritjet e fituara me shumë përpjekje për gratë dhe vajzat po vihen në pikëpyetje, hapësira qytetare po ngushtohet dhe burimet në dispozicion të organizatave që mbrojnë të drejtat e grave po përballen me presion në rritje.
Duhet të jemi të qartë: progresi në fushën e barazisë gjinore nuk mund të merret si i mirëqenë.
Ne duhet të mbetemi të bashkuar në mbrojtjen e parimit se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe se barazia gjinore është themelore për paqen, zhvillimin dhe sigurinë e qëndrueshme.
Z. President,
Shqipëria mirëpret zbatimin e hershëm të Planit Strategjik të UN Women 2026–2029.
Për ne, zbatimi përbën testin kryesor. Për këtë arsye, inkurajojmë UN Women të vijojë forcimin e rezultateve në nivel vendi, pronësinë kombëtare dhe llogaridhënien, duke siguruar njëkohësisht që burimet të arrijnë te gratë dhe organizatat që punojnë më pranë komuniteteve.
Z. President,
Për Shqipërinë, barazia gjinore duhet të jetë një pikë qendrore referimi e UN80.
Ne mbështesim përpjekjet për të forcuar lidhjen ndërmjet angazhimeve globale dhe zbatimit në nivel vendi, për të reduktuar fragmentimin, për të forcuar llogaridhënien dhe për të shfrytëzuar më mirë ekspertizën në të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, duhet të ruajmë kapacitetin institucional dhe ekspertizën e specializuar të nevojshme për avancimin e barazisë gjinore.
Kjo merr një rëndësi të veçantë ndërsa shqyrtojmë të ardhmen e arkitekturës së Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore.
Shqipëria ka marrë me kujdes në konsideratë analizën mbi një bashkim të mundshëm ndërmjet UN Women dhe UNFPA-së, si dhe opsione të tjera që mund të dalin në kuadër të UN80.
Ne besojmë se ky diskutim duhet të mbetet i hapur, transparent dhe i bazuar në evidencë.
Nuk duhet as të paragjykojmë rezultatin dhe as ta trajtojmë reformën institucionale si një qëllim në vetvete.
Pyetja që duhet të na udhëheqë është: cila strukturë do t’i mundësojë më së miri Kombeve të Bashkuara të avancojnë të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, të forcojnë llogaridhënien, të ruajnë ekspertizën e specializuar dhe të sigurojnë rezultate më të mira në nivel vendi?
Çdo reformë duhet të dëshmojë qartë vlerën e saj të shtuar. Ajo nuk duhet të çojë në zbehjen e barazisë gjinore në të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara, në humbjen e ekspertizës së specializuar apo në zvogëlimin e vëmendjes politike ndaj të drejtave të grave.
Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të hapur ndaj mundësive për të forcuar koherencën, për të reduktuar mbivendosjet dhe për të përmirësuar rezultatet konkrete.
Ne njohim rolin e rëndësishëm të Bordit Ekzekutiv në përcaktimin e rrugës përpara dhe mbetemi të gatshëm të angazhohemi në mënyrë konstruktive në diskutimet e ardhshme.
Dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë Sekretarit në largim të Bordit Ekzekutiv, z. Jean-Luc Bories, për shërbimin dhe përkushtimin e tij, si dhe t’i urojmë mirëseardhjen z. Ziad Sheikh, duke i uruar çdo sukses në këtë përgjegjësi të rëndësishme.
Shqipëria mbetet një partnere e fortë dhe e angazhuar e UN Women.
Ne do të vijojmë të mbështesim zbatimin e Planit Strategjik 2026–2029, të mbrojmë universalitetin e të drejtave të grave dhe të punojmë për një sistem të Kombeve të Bashkuara më koherent, më të përgjegjshëm dhe më efektiv.
Ju faleminderit.


