Znj. Suela Janina
Ambasador
Përfaqësues i Përhershëm
Ambasadore Suela Janina paraqiti Letrat Kredenciale si Përfaqësuese e Përhershme, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, më 5 prill 2024.
Para emërimit të saj, Ambasadorja Janina ka përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë, Drejtuese e Misionit, nga tetori 2014 deri në shkurt 2024.
Ajo u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe mori titullin Master në Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, një diplomë e akorduar bashkërisht nga Universiteti i Sarajevës dhe Universiteti i Bolonjës. Ambasadorja Janina mban titullin Doktor në të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës.
Ambasadore Janina është një diplomate karriere. Ajo iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në gusht të vitit 1999, ku filloi si eksperte ligjore në Departamentin për Traktatet dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Nga janari 2004 deri në janar 2007, ajo ka qenë konsulle në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano. Nga janari 2012 deri në janar 2014, ajo u emërua drejtoreshë në Departamentin për Traktatet dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Nga janari deri në tetor 2014, ajo ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme për Marrëdhëniet Shumëpalëshe.
Ambasadore Janina ka një përvojë të gjatë me organizatat ndërkombëtare. Nga maji i vitit 2011, ajo është zgjedhur anëtare e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë, ku ka mbajtur për dy mandate postin e zëvendëskryetares dhe për një mandat si kryetare e CED. Ajo është emëruar nga Republika e Shqipërisë si Arbitër Alternativ në Gjykatën e Pajtimit dhe Arbitrazhit të OSBE-së dhe si Anëtare e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit.
Ambasadorja Janina flet anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Ajo është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.