Më 27 janar 2026, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Evis Sala, zhvilloi një vizitë zyrtare në Vjenë, ku realizoi një takim pune në Departamentin e Bashkëpunimit Teknik të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Gjatë vizitës, Ministrja u takua me z. Hua Liu, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Teknik (DDG-TC), si dhe me ekipin e tij.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe IAEA-së në përdorimin e shkencës dhe teknologjive bërthamore për qëllime paqësore, në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në vend.
Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të kujdesit ndaj pacientëve me kancer, zhvillimit të mëtejshëm të mjekësisë bërthamore, si dhe rritjes së standardeve të sigurisë nga rrezatimi, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ministrja Sala theksoi se Shqipëria po avancon me një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për forcimin e programit kombëtar të radioterapisë, si pjesë integrale e procesit të ngritjes së Institutit të Onkologjisë dhe ndërtimit të Rrjetit Kombëtar të Kancerit, me synim ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të aksesueshme për qytetarët.
Nëpërmjet partneritetit me IAEA-n, Shqipëria po investon në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, transferimin e njohurive dhe promovimin e inovacionit të sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur standarde në përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore në shërbim të shëndetit publik.



