Më 14 korrik, Kryesia Shqiptare dhe Ambasadorja Eglantina Gjermeni në cilësinë e kryetares së Komitetit të Dimensionit Njerëzor të OSBE-së, organizoi takimin me temë “Liria e medias, besimi dhe llogaridhënia në një mjedis informacioni në zhvillim“.
Folës kryesor ishte Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Jan Braathu, me një panel me folës nga gazetaria, akademia, organe rregullatore dhe të lirisë së medias. Në takim u diskutua sesi në një peizazh mediatik që po ndryshon me shpejtësi – i formësuar nga transformimi digjital, dezinformimi, rënia e besimit publik, presionet ekonomike dhe rreziqet në rritje me të cilat përballen gazetarët – mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe e lirisë së medias mbetet thelbësore për angazhimet e përbashkëta në OSBE dhe për shëndetin e shoqërive demokratike. Diskutimi ofroi një mundësi edhe për të reflektuar se si shtetet pjesëmarrëse, profesionistët e medias, rregullatorët, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare mund të forcojnë besimin, transparencën dhe llogaridhënien, duke respektuar plotësisht pavarësinë e medias.
Një media e lirë, pluraliste dhe e përgjegjshme nuk është vetëm një shtyllë e demokracisë, por edhe një kontribut i rëndësishëm për sigurinë, kohezionin shoqëror dhe besimin e publikut në të gjithë rajonin e OSBE-së.



