Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë përfaqëson Shqipërinë në organizata si OSBE-ja, OKB-ja dhe agjenci të tjera ndërkombëtare me seli në Vjenë. Ky mision luan një rol kyç në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të Shqipërisë në fushat e sigurisë, të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik dhe çështjeve të tjera ndërkombëtare.
Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë u krijua si pjesë e përkushtimit të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimit shumëpalësh.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 1991dhe shtimit të angazhimit në agjencitë e specializuara të OKB-së me seli në Vjenë, u bë e domosdoshme që Shqipëria të hapë Misionin e saj të Përhershëm në Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë, duke i dedikuar kështu vëmendjen e nevojshme punës më organizatat ndërkombëtare.
Kësisoj, Misioni i Shqipërisë në Vjenë përfaqëson vendin në institucione si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO), Komisioni Përgatitor i Organizatës së Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Provave Bërthamore (CTBTO), Akademia Ndërkombëtare kundër Korrupsionit (IACA) dhe agjenci të tjera që trajtojnë çështje globale si paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Roli i misionit ka evoluar gjatë viteve, duke reflektuar përparësitë e politikës së jashtme shqiptare dhe reformat e brendshme në vend. Në veçanti, në vitet e fundit, pozicioni i Shqipërisë në këto organizata ka ndryshuar thellësisht, duke e reflektuar transformimin e madh gjatë tri dekadave të fundit nga një vend pritës i asistencës dhe ekspertizës së huaj në vend kontributor. Këtu përmendim kontributet që ka dhënë Shqipëria në Bordin e Guvernatorëve të IAEA/ANEA, në komisionet vendimmarrëse dhe organet mbështetëse të UNODC-së, në ofrimin e ekspertëve dhe diplomatëve në strukturat drejtuese të këtyre organizatave, në operacionet e OSBE-së në terren, përfshirë në Ukrainë e Kosovë, dhe mbi të gjitha duke marrë përsipër kryesimin e OSBE-së në vitin 2020.
Ky mision është një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe botës shumëpalëshe, duke e pozicionuar vendin si një kontribues të përgjegjshëm në zgjidhjen e sfidave globale.