Në kuadër të Warsaw Human Dimension Conference 2025, më 8 tetor, u zhvillua aktiviteti me temë “Police–media relationship in shaping the narratives on violence against women and girls and its prevention”.
Eventi u organizua nga Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale i OSBE-së (TNTD), në bashkëpunim me Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Misionin e Italisë pranë OSBE-së dhe Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Shqipëria ishte bashkë organizatore e aktivitetit, ndërsa Ambasadorja Eglantina Gjermeni, mbajti fjalën hapëse të takimit.
Në fjalën e saj, ambasadorja theksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një problem global, që na prek të gjithëve, dhe që ka pasoja fizike, psikologjike, ekonomike dhe sociale jo vetëm te gratë dhe vajzat, por tek e gjithë shoqëria. Dhuna ndaj grave e vajzave është një shkelje e të drejtave të tyre njerëzore dhe duhet trajtuar si e tillë. Kompleksiteti i faktorëve që e krijojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave, kërkon ndërhyrje në disa nivele dhe të mirë koordinuara. Ajo vuri në dukje rolet thelbësore të medias dhe policisë në parandalimin dhe adresimin e kësaj dhune, si pjesë e ekipeve multidisiplinare, duke theksuar se media ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën si formohen narrativat publike, dhe si shoqëria e kupton dhe reagon ndaj dhunës me bazë gjinore.
Ambasadorja nënvizoi se raportimi i përgjegjshëm dhe etik nga media mund të ndihmojë në sfidimin e stereotipeve, në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në ndërtimin e një kulture që nuk e normalizon dhunën. Ajo theksoi gjithashtu nevojën që si media ashtu edhe policia të përdorin një qasje të fokusuar te viktima, duke treguar ndjeshmëri dhe respekt për të drejtat dhe përjetimet e saj.
Në vijim, ambasadorja solli shembullin e Shqipërisë, e cila ka qenë ndër vendet e para që ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e Stambollit, si dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional kundër dhunës me bazë gjinore. Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave, adresimi i faktorëve që e krijojnë atë, koordinimi më i mirë të gjithë aktorëve në nivel qendror e vendor për adresimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, mbeten sfida për vendin tonë.
Në mbyllje, Ambasadorja Gjermeni ripohoi angazhimin e Shqipërisë për të promovuar barazinë gjinore dhe respektin për të drejtat e grave dhe vajzave, si në institucionet shtetërore ashtu edhe në media, dhe falënderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve në rajon për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.