Forumet më të rëndësishme të OSBE-së janë Këshilli i Përhershëm (PC) dhe Forumi për Siguri dhe Bashkëpunim (FSC).
Këshilli i Përhershëm i OSBE-së është organi kryesor vendimmarrës dhe drejtues i organizatës. Ai mblidhet rregullisht në Vjenë, ku shtetet pjesëmarrëse diskutojnë dhe koordinojnë çështje të sigurisë, zbatimin e angazhimeve të OSBE-së dhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Këshilli i Përhershëm mblidhet rregullisht çdo të enjte dhe përfaqësimi është në rang ambasadorësh.
Forumi për Siguri dhe Bashkëpunim i OSBE-së është një organ ndërqeveritar brenda Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ai shërben si një platformë për shtetet pjesëmarrëse që të diskutojnë çështje të sigurisë, promovimin e masave për ndërtimin e besimit dhe transparencës, dhe forcimin e bashkëpunimit në çështje ushtarake. Forumi trajton gjithashtu sfida të tilla si kontrolli i armëve, çmilitarizimi dhe parandalimi i konflikteve. Forumi mblidhet çdo të mërkurë dhe përfaqësimi është në rang këshilltarësh të mbrojtjes.
• Angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në pasqyron stadet zhvillimore të vendit dhe mbi të gjitha objektivat strategjikë të vendit siç është integrimi evropian, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, me fokus të posaçëm Kosovën dhe mbështetjen e saj për anëtarësim në organizmat ndërkombëtarë, si dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave.
• Përparësitë e Shqipërisë në angazhimin e saj me OSBE-në ndërlidhen me tri dimensionet kryesore të kësaj organizate, që janë siguria, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisi, si dhe të drejtat e njeriut. Në këto dimensione Misioni vendos fokus të posaçëm në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në respektimin dhe forcimin e së drejtës ndërkombëtare.
• Misioni i kushton rëndësi të posaçme promovimit të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria, sundimit të ligjit dhe mbrojtes së pakicave, të rinjve, paqes dhe sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe teknologjisë, mbrojtjes së mjedisit, lirisë së medias dhe mbrojtjes së gazetarëve, etj.
• Misioni në Vjenë, gjithashtu, ndjek me vëmendje zbatimin e mandateve të operacioneve të OSBE-së në terren, raportimet e tyre për zhvillimet në rajonin tonë dhe Evropën Lindore, Azinë Qendrore e Kaukazin, si dhe partneritetin me vendet mesdhetare dhe aziatike.