Më datë 5 janar 2023 Ngarkuara me Punë Majlinda Frangaj, mori pjesë në ceremoninë e funeralit të Papës së Nderit Benediktit XVI, i cili u nda nga jeta më datë 31 dhjetor 2022 në orën 09:34. Benedikti XVI, ishte Papa i 265-të i Kishës Katolike, i cili u zgjodh më datë 19 prill 2005 duke filluar solemnisht shërbimin e tij pjetrin më 24 prill 2005. Ishte Papa Françesku, i cili kryesoi ceremoninë e funeralit të Papës së Nderit Benediktit XVI, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, i mbushur me rreth njëqind mijë besimtarë dhe shumë delegacione ndërkombëtare. Një ceremoni e thjeshtë, në një atmosferë lutjeje, me këngë dhe duartrokitje të matura, teksa arkivoli sipër të cilit ishte vendosur Ungjilli i hapur, hynte në proçesion.
Papa Françesku, në predikimin e funeralit të Papës së Nderit, shprehu, mirënjohjen e tij për urtinë dhe përkushtimin e Benediktit XVI. Papa Françesku theksoi në mënyrë të veçantë atë çfarë e karakterizoi Benediktin XVI: “E dëshmoi Ungjillin gjatë gjithë jetës! Dhuroi urti, delikatesë, përkushtim”. Në përfundim të salikimeve, Papa Françesku kryesoi ritin Ultima Commendatio (të lëshimit në dorë të Zotit) dhe të Valedicto (lamtumirës së fundit).
Nga Sheshi i Shën Pjetrit u lartësua tre here drejt qiellit thirrja: “Shenjt menjëherë!”. Mbartësit e ngritën arkivolin e Benediktit XVI dhe e dërguan drejt Tremes, ku Papa Françesku, i mbështetur në shkopin e tij baritor, e priste për bekimin. Papa Françesku, kokulur, në lutje, heshti për disa çaste, përpara se në shenjë lamtumire, të vinte dorën mbi arkivolin e Benediktit XVI, i cili më pas u mbart në Kriptën e Vatikanit, poshtë Bazilikës së Shën Pjetrit, për varrim. Papa i Nderit Benedikti XVI, u varros në të njëjtin varr ku ishte varrosur deri në shenjtërimin e tij, Papa Gjon Pali II.
Me Papa Françeskun, bashkëkremtuan funeralin e Papës së Nderit Benediktit XVI, 700 Ipeshkvinj si dhe 1.000 meshtarë. Mbi 600 gazetarë, u akredituan në Vatikan për të ndjekur dhe transmetuar ngjarjen. Liturgjia me të cilën u kremtua funerali i Papës së Nderit Benedikti XVI, ishte afërsisht e ngjashme me atë të një Pape në drejtim të Kishës, me disa element origjinalë që i japin ritit origjinalitetin. Elementën që mungonin ishin ato që lidhen me Papën në pushtet, si lutjet e fundit, lutja e dioqezës së Romës dhe Kishave Lindore, të cilat janë shumë specifike për Papën aktiv. Sipas vullnetit të vetë Papës së Nderit Benediktit XVI, të pranishëm si delegacione zyrtare ishin vetëm delegacioni nga Gjermania, vendlindja e Joseph Ratzinger dhe delegacioni nga Italia, atdheu i tij i dytë, siç e ka cilësuar gjithmonë.


