Më 8 mars 2023, e Ngarkuara me Punë znj. Majlinda Frangaj, takoi Papa Françeskun, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, së bashku me të gjitha gratë Ambasadore të akredituara pranë Selisë së Shenjtë. Takim u realizua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas Audiencës së Përgjithshme.
Papa Françesku, i uroi grave ambasadore 8 marsin si dhe suksese në misionin e tyre, duke bërë së bashku me ato dhe forografi kujtimi të takimit. Papa Françesku, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pas katekizmit të Audiencës së Përgjithshme, i uroi gjithashtu të gjitha gratë e, në veçanti, gratë e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit: “I falenderoj për angazhimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore, përmes aftësisë për ta shikuar realitetin me vështrimin e tyre krijues e me zemër të butë. E këtë privilegj e kanë vetëm gratë”. Në përfundim të Audiencës së Përgjithshme, Papa Françesku duke ju drejtuar të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi të kenë gjithmonë “në zemrat dhe në lutjet, popullin martir të Ukrainës, dhimbjen e të cilit nuk duhet ta harrojmë”.


