Më datë 7 mars 2023, Ambasada e Republikës së Shqipërisë akredituar pranë Selisë së Shenjtë së bashku me shtatë ambasada të tjera të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, organizuan konferencën “OSARE LA PACE. LE VIE DELL’EDUCAZIONE – GUXONI PËR PAQEN. RRUGËT E EDUKIMIT”, që u mbajt në Aula Magna “GIOVANNI PAOLO II” të Fakultetit Papnor të Shkencave të Edukimit, “AUXILIUM”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsi:
1. Majlinda Frangaj – E Ngarkuar me Punë 2. Chiara Porro – Ambasadorja e Australisë 3. Juvita Rodrigues Barreto – Ambasadorja e Timorit Lindor 4. Alexandra Valkenburg-Roelofs – Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian 5. Angelina Baiden-Amissah – Ambasadorja e Ganës 6. Maria Isabel Celaà Dièguez – Ambasadorja e Spanjës 7. Teresa Susana Subieta Serrano – Ambasadorja e Bolivisë 8. Florence Mangin – Ambasadorja e Francës
Konferenca u hap me një videomesazh nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit (Kryeministër), Hirësia Tij Kardinali Pieter Parolin. “Edukimi nuk është vetëm përmasë thelbësore për zhvillimin personal, por edhe një nga mënyrat më të mira dhe më të fuqishme për të promovuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kombeve”, nënvizoi Kardinali Parolin. Ai theksoi se arsimi u jep të rinjve e të rejave mjetet, jo vetëm për të kuptuar realitetin e sotëm, por edhe për të ndërtuar sëbashku realitetin e së nesërmes.
Kardinali Parolin vuri në dukje edhe “shumë katastrofa edukative aktuale, pasi në shumë vende mungojnë shkollat, ose jo të gjithë mund të shkojnë në to”. “Gjithashtu si rezultat i vendimeve ideologjike – denoncoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – shumë fëmijë nuk kanë marrë arsimin e duhur e, shpesh vajzat paguajnë çmimin më të lartë sepse nuk i çojnë në shkollë”. Për Kardinalin Parolin, kjo sjell pasoja të rënda për gjithë shoqërinë, dhe “objektivi që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për arsimim kërkon ende përpjekje të mëdha dhe impenjim të konsiderueshëm politik”. Në përfundim, Kardinali Parolin kujtoi fjalët e Papa Françeskut për rëndësinë e rolit të gruas, sidomos në fushën e “ruajtjes dhe promovimit të paqes në shoqërinë e ndërmjet kombeve, veçanërisht në proçeset e paqes, në parandalimin e konflikteve dhe në diplomaci”. “Për këtë arsye – përfundon videomesazhi i Kardinalit Parolin arsimimi i grave dhe i vajzave është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të garantohet për të gjithë”. –
Ndërsa e Ngarkuara me Punë znj. Majlinda Frangaj, solli në vëmëndje se në fillim të shekullit të njëzetë, shoqatat e grave u përhapën fuqishëm në Evropë, duke u marrë me ndjeshmëri dhe vëmëndje me gjendjen e varfërisë së grave, fëmijërinë e braktisur, të drejtat e vajzave dhe grave. “Përsa i përket problemit të shkrim-leximit në veçanti tek vajzat, pjesëmarrja në debatin politik ishte intensive dhe pati iniciativa të shumta nga shoqatat e grave, të cilat morën përsipër të denonconin aksesin e dobët të vajzave në arsim dhe si pasojë shkallën e lartë të analfabetizmit të femrave”, u shpreh ajo. Duke theksuar se roli i gruas ishte kompleks në dekadat e para të shekullit të njëzetë. Në fund të shekullit të 19-të, gratë ishin ende plotësisht të përjashtuara nga elektorati aktiv dhe pasiv; në shumë vende evropiane atyre iu mohua mundësia për të hyrë në arsimin e lartë, gjë që si rrjedhojë kufizoi aksesin e tyre në profesionet më të rëndësishme shoqërore.
REFLEKTIMI I DORA d’ISTRIA MBI ÇËSHTJEN E GRAVE. Në vijim, e Ngarkuara me Punë znj. Majlinda Frangaj, solli në vëmëndje figurën e Elena Gjikës (1828-1888), princesha me origjinë shqiptare, e njohur me emrin artistik Dora d’Istria: “E arsimuar, Elena Gjika ishte pjesë e debatit për emancipimin civil dhe kulturor të grave gjatë shekullit të 19-të. Duke kujtuar se ajo është quajtur Mary Selly e Evropës Lindore. Dora d’Istria ishte një personalitet i shquar në Evropën e shekullit të 19-të, por pothuajse plotësisht e injoruar më vonë”. “Fillimisht, si shkrimtare, në vijim ajo u interesua për gjithçka, nga politika te shkenca, nga feja në aspektet e saj filozofike te çështjet sociale dhe mbi të gjitha për emancipimin e gruas dhe pavarësinë e shteteve ballkanike, të cilat, në ato vite, kishin filluar të pretendonin të drejtën për pavarësi”.
“Fakti që personaliteti i Elena Gjikës konsiderohej kaq i jashtëzakonshëm nga bashkëkohësit dhe autorët e gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, në një epokë kur roli intelektual i gruas ishte pak i njohur, e bën edhe më të pashpjegueshme se si ajo më pas u harrua dhe nuk u kujtua, siç e meritonte, një ndër figurat femërore më përfaqësuese të shekullit të saj”, nënvizoi e Ngarkuara me Punë duke kujtuar se Elena Gjika shkroi: “Les femmes en Orient” e vitit 1860 dhe “Des femmes par une femme” e vitit 1865, “Les Femmes fortes” i 1871, “Lettre à la president de l’Association des dames grècques pour l’instruction des femmes”, etj. Ajo kujtoi se, Dora d’Istria me të njëjtën vëmendje i kushtoi historisë së gjendjes femërore që nga koha romake po ashtu në kohën kur ajo jetonte, duke iu drejtuar studimit të kushteve të grave në pakicat etnike të Evropës dhe natyrisht atyre në Shqipëri (Les femmes en Orienti). Karakteristikat gjeografike, gjuhësore, historike të Shqipërisë ndërthuren në rrëfimin e saj me historitë e personazheve që kanë luajtur role vendimtare në historinë e kombit.
Presidentja e Fakultetit të Shkencave të Edukimit Piera Rufinato, në fjalën e saj, nënvizoi se takimi në Aula Magna “Giovanni Paolo II”, dëshiron të jetë për organizatorët, “një mundësi për reflektim dhe krahasim mbi vlerën e arsimit si mjet domosdoshëm për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për zgjidhjen e konflikteve, për mbrojtjen e njerëzve në nevojë dhe për pjesmarrjen e pakicave, duke u nisur nga perspektivat e ndryshme globale”. Ajo më tej citoi gruan më të re të vlerësuar ndonjëherë me Çmimin Nobel për Paqe, aktivisten pakistaneze Malala Yousafzai, në vitin 2014, vetëm 17 vjeçe: “Le të marrim librat dhe penat tona. Ato janë armët tona më të fuqishme. Një fëmijë, një mësues, një libër dhe një penë mund të ndryshojnë botën”.