Më datë 15 qershor 2023, e Ngarkuara me Punë Majlinda Frangaj, mori pjesë në takimin tradicional të Ambasadorëve me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit (=Kryeministër) Hirësinë e Tij Kardinalin Pietro Parolin. Pritja u mbajt në Muzeuu Etnologjik të Muzeve të Vatikanit.
“Një pritje e përzemërt në rastin e darkës sonë tradicionale, e cila për herë të parë zhvillohet në një vend kaq emocionues, plot bukuri dhe kulturë, që të kujton historinë e shumë popujve. Me arsye të mirë, kjo pjesë e Muzeut të Vatikanit quhet Anima Mundi, këtu mund të marrim frymë në universalitetin e familjes njerëzore dhe kështu të admirojmë diversitetin e saj në shumë aspekte”, u shpreh në fjalën e tij Kardinali Pietro Parolin.
Ai solli përshëndetjet e Atit të Shenjtë duke nënvizuar se “Рара Françesku dëshiron të shprehë vlerësimin e tij të përzëmërt për veprimtarinë që kryeni me shumë profesionalizëm në promovimin dhe forcimin e vazhdueshëm të lidhjeve të miqësisë midis kombeve që përfaqësoni dhe Selisë së Shenjtë”, duke nënvizuar më tej se Atin e Shenjtë “e shoqërojmë me afërsi dhe me dëshirën që së shpejti të shërohet dhe të vazhdojë me energji të përtërirë shërbimin apostolik”. Duke ju drejtuar Ambasadorëve, në këtë moment paqësor e në këtë takim miqësie, Kardinali Parolin u shpreh se “nuk mund të harrojmë se koha e tanishme është е shënuar nga shqetësimi i thellë për shkak të luftës në Ukrainë dhe konflikteve të shumta që po përgjakin tokën”, duke pohuar se “të gjithë e ndajmë këtë shqetësim”.
“Pse kaq shumë egërsi? Pse kaq shumë mizori? Pse kaq shumë barbarizëm?” u shpreh Kardinali Parolin duke theksuar se të gjithë jemi të thirrur të reagojmë përballë të keqes së përhapur, të gjejmë zgjidhje të arsyeshme, të bëjmë zgjedhje të karakterizuara nga solidariteti dhe vëllazërimi dhe jo vetëm nga interesat partiake. “Nga ana e saj, Selia e Shenjtë nuk u lodh kurrë duke promovuar rrugën e dialogut si një mjet efektiv për të siguruar një paqe të qëndrueshme, dinamike dhe progresive, një paqe që nuk duhet të jetë e dobët, joefikase dhe servile, por e fortë, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. Ai u shpreh se shpreson që “takimi i kësaj mbrëmje të mos jetë thjesht disa orë shkëmbimi të këndshëm dhe qetësie, por përkundrazi një mundësi për të forcuar këtë angazhim nga ana e të gjithëve ne këtu. Fakti që ju jeni Ambasadorë në Selinë e Shenjtë i shton një përgjegjësi detyrës suaj si përfaqësues të kombeve tuaja”. “Shpresojmë të mund të shkruajmë një kapitull të ri paqeje dhe historie”, përfundoi Kardinali Parolin.
Në vijim, ishte Dekani i Trupit Diplomatik akredituar pranë Selisë së Shenjtë Ambasadori i Cipros George F. Poulides, i cili përshëndeti dhe falenderoi në emër të Trupit Diplomatik, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Kardinalin Pietro Parolin për takimin tradicional “i cili është një gjest i përzemërt mikpritjeje dhe pasqyron vlerën që i atribuohet lidhjeve që bashkojnë Selinë e Shenjtë dhe vendet që përfaqësojmë”.



