Më datë 7 maj 2025, Ambasadorja Majlinda Frangaj, me ftesë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, mori pjesë në Meshën “Pro Eligendo Romano Pontifice”, e cila u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan përpara fillimit të Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri. Të pranishëm mbi pesë mijë besimtarë si dhe Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Mesha u kryesua nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve Giovanni Battista Re. Apeli drejtuar zgjedhësve kardinalë: të zgjedhin me “përgjegjësi maksimale njerëzore dhe kishtare”, duke shmangur konsideratat personale dhe duke parë të mirën e Kishës dhe të njerëzimit.
Në Bazilikën ku ndodhen eshtrat e Shën Pjetrit, pasardhësin e të cilit është thirrur të zgjedhë Konklavi, bashkëcelebruan Meshën 220 kardinalë, zgjedhës dhe jo-zgjedhës. Të parët kanë detyrën e zgjedhjes së Papës së 267-të. “Uroj të zgjidhet Papa, për të cilin Kisha dhe njerëzimi kanë nevojë në këtë pikë kthese të vështirë dhe komplekse të historisë”, u shpreh Kardinali Re.
“Kardinalët zgjedhës, të cilët do të mblidhen në Kapelën Sistine në orën 16:30 dhe do të fillojnë Konklavin, po bëjnë një akt përgjegjësie maksimale njerëzore dhe kishtare – theksoi Kardinali Re – dhe një zgjedhje me rëndësi të jashtëzakonshme”. “Le të lutemi që Zoti t’i dhurojë Kishës Papën që di më së miri të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve dhe energjitë morale e shpirtërore në shoqërinë e sotme, të karakterizuar nga përparimi i madh teknologjik, por që tenton ta harrojë Zotin”, nënvizoi Dekani i Kolegjit Kardinalor.
Në përfundim të Meshës, për Kardinalin Re “shpresa se zgjedhësit kardinalë të mbledhur në Kapelën Sistine – ku Gjyqi i Fundit i Michelangelo-s i kujton secilit madhështinë e përgjegjësisë së vendosjes së Papnisë në duart e duhura – të jenë në një mendje në zgjedhjen e Papës që i nevojitet kohës sonë.
Në vijim, Kardinalët zgjedhës u futën në Kapelën Sistinë në orën 16:30, për zgjedhjen e Papës së ri.



