Më datë 7 maj 2025 , Ambasadorja Majlinda Frangaj mori pjesë në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan për të vëzhguar nga afër tymin e parë të Konklavit, i cili mblodhi sot në Kapelë Sistinë në orën 16:30, 133 kardinalë të Kishës Katolike me të drejtë vote për të zgjedhur Papën e ri.
Në orën 21:00, tym i zi në Vatikan. Kardinalët, të cilët sot bënë votimin e parë, nuk kanë rënë dakord për emrin e Papës së ardhshëm. Pasi shprehën votat e tyre e pas numërimit e lidhjes me fill, fletëvotimet u dogjën në dy sobat, që përdoren për të prodhuar tymin, i cili lajmëron për zgjedhjen ose jo të Papës së ri. Tymi mbi Kapelën Sistinë, që u duk në orën 21:00s ishte i zi, shenjë e qartë se kardinalët nuk kanë rënë dakord për emrin e Atit të Shenjtë, i cili ende nuk është zgjedhur. Rreth 45,000 besimtarë ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, me kokën lart duke shikuar oxhakun e Kapelës Sistinë, në pritje të tymit të parë.
Një shesh i ngjyrosur nga flamuj nga vende të ndryshme të botës, i ndriçuar nga dritat e kamerave dhe ato të telefonave celularë të pelegrinëve, besimtarëve dhe kuriozëve. Ndonjëherë dëgjoheshin duartrokitje, duke shpresuar në daljen e tymit pas pothuejse dy orë pritje. Flitej se tymi i parë do të dilte rreth orës 19:00, si rrjedhojë besimtarët ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit që në orën 19:00.
Nesër në mëngjes, të enjten, 8 maj, kardinalët zgjedhës do të mblidhen para orës 8-të në Pallatin Apostolik, për të kremtuar Meshën në Kapelën Paulinë. Më pas ata do të tėrhiqen në Kapelën Sistinë në orën 09:15 për të vazhduar me votimin. Në orën 16:30 përsëri në Kapelën Sistine për votimin e pasdites. Janë planifikuar dy seanca tymi: një në pėrfundim të votimeve të mëngjesit dhe një të pasdites.

