Më datë 11 janar 2024, Ambasadorja Majlinda Frangaj priti në një takim në ambientet e Ambasadës, z. Alfredo Luciani, President i Shoqatës Ndërkombëtare “Carità Politica”.
Në fokus të bisedimeve, vijimi i bashkëpunimit midis Ambasadës së RSH-së në Vatikan dhe Shoqatës “Carità Politica”. Sjellim në vëmendje, se bashkëpunimi i fundit (datë 15 nëntor 2023), ishte konferenca me rastin e 45-vjetorit të Papnisë të Papës Shenjtë Gjon Pali II. Me këtë rast, Ambasadorët e nëntë Ambasadave të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, ku edhe Ambasadorja Majlinda Frangaj, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare “Carità Politica”, zhvilluan konferencën me titull: “SAN GIOVANNI PAOLO II TRA RICORDI E SPERANZE – SHENJTORI GJON PALI II MIDIS KUJTIMEVE DHE SHPRESAVE”, e cila u mbajt në Palazzo San Calisto, të Shtetit të Vatikanit.
Gjatë takimit, Ambasadorja Frangaj dhe Presidenti i Shoqates z. Luciani, diskutuan mbi temat për të cilat mund të organizojnë konferenca në bashkëpunim, ku përgjatë vitit 2024 riferiment të veçantë do të zërë tema e dialogut ndëfetar dhe paqes.
Shoqata Ndërkombëtare “Carita Politica” është një lëvizje laike e themeluar nga Alfredo Luciani në vitin 1993. Ajo lindi si një shoqatë sociale e krishterë evropiane, një lëvizje që synon të kontribuojë në edukimin e qytetarëve më të përfshirë në aktivitete sociale dhe politike. Ndër vite, vetëdija se përgjigja ndaj sfidave të nisura nga skenarët e rinj të jetës sociopolitike gjendet në bamirësinë, e bën Shoqatën të njohë mbi të gjitha nevojën e një pranie të krishterë në ushtrimin e politikës. Në vitin 1996 shoqata u njoh nga Selia e Shenjtë.