Me datë 21 tetor 2023, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale Atit te Shenjte Papa Françeskut, Ambasadorja Frangaj organizoi një pritje/cocktail në Parco dei Pricipi Grand Hotel. Morën pjesë nga Sekreteria e Shtetit të Vatikanit: Shkëlqësia Tij Imzot Paul Richard Gallagher Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (=Ministër i Jashtëm); Imzot Janusz Blachowiak – Drejtori për Ballkanin si dhe Imzot Javier Domingo Fernandes Gonzalez – Shefi i Protokollit si dhe Ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, autoritete kishtare shqiptare dhe italiane.
Në fjalën e saj Ambasadorja Frangaj theksoi se detyra e re si Ambasadore e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë “nuk është vetëm fillimi, por edhe një vazhdimësi e një angazhimi që kam marrë përsipër si e Ngarkuar me Punë”. Ajo nënvizoi se në këtë angazhim ka gjetur bashkëpunimin maksimal nga ana e personaliteteve të Selisë së Shenjtë dhe gjithashtu të Ambasadorëve të vendeve të tjera të akredituara në Vatikan.
Pjese nga fjalimi:
“Gjatë mandatit si e Ngarkuar me Punë, jam angazhuar që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, ditëve studimore dhe konferencave, të bëj të njohur vendim tim, historinë, kulturën, vlerat edhe ato të lashta, si dhe vëllazërinë fetare që është baza е bashkëjetesës paqësore në Shqipëri. Në këtë rol, kam organizuar vizitën e shumë personaliteteve nga vendi im në prani të Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut dhe kam patur privilegjin të sjell në prani të Papës përfaqësues të popullit tim dhe besimeve të ndryshme fetare të Shqipërisë. Detyra e re, si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë që pata nderin të merrja nga qeveria shqiptare, përfaqëson për mua një angazhim të ripërtërirë ndaj vendit tim dhe Selisë së Shenjtë, duke u përpjekur për të zhvilluar marrëdhënie gjithnjë e më frytdhënëse në nivelin kulturor, social dhe fetar. Për mua është një rast emocioni i madh, pasi ky emërim u njoh nga vetë Papa Françeskuи, i cili ka treguar gjithmonë simpati dhe dashuri të madhe ndaj vendit tim dhe gjithashtu ndaj meje si person”.