Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, organizoi me datë 4 dhjetor 2023, një pritje me rastin e Festës Kombëtare. Pritja u mbajt në Parco dei Principi Grand Hotel, në Romë. Ceremoia u hap me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Vatikanit dhe me Himnin Kombëtar shqiptar, i cili u këndua nga sopranet e njohura shqiptare Irida Dragoti dhe Ana Lushi, shoqëruar në piano nga artistja Aksinja Xhojа.
Në fjalën e saj Ambasadorja Majlinda Frangaj solli në vëmëndje se, pas shekuj vuajtjesh, populli shqiptar filloi të kërkonte të drejtat e tij, deri më 28 nëntor 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. “Shpallja e Pavarësisë është një nga datat kryesore të lirisë së kombit shqiptar”, nënvizoi Ambasadorja Frangaj, duke shtuar se “shqiptarët festojnë Ditën e Pavarësisë me respekt dhe mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata që dhanë edhe jetën për arritjen e lirisë”. Ambasadorja Frangaj kujtoi më tej se zgjedhja e datës së Festës Kombëtare nuk është e rastësishme, pasi 28 nëntori 1443, shënon fillimin e qëndresës së shqiptarëve kundër perandorisë osmane nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. “Korrespondenca e këtyre dy datave rikonfirmon emërtimin “Dita e Flamurit” për këtë datë të çmuar historike”, nënvizoi ajo, duke kujtuar me tej rrugëtimin e vështirë të Shqipërisë, për liri dhe të drejta edhe pas shpalljes së Pavarësisë, kryesisht periudhën e regjimit komunist ku u dhunuan, ndër të tjera, liria fetare.
Ambasadorja Frangaj bëri gjithashtu një përshkrim të shkurtër të sfidave të Shqipërisë pas rrëzimit të regjimit komunist, duke cituar në fillim fjalët e Papës Shenjtë Gjon Pali II: “Shqipëria ishte zhytur në një humnerë nga e cila është një mrekulli e vërtetë që ka mundur të dalë”.
Në përfundim Ambasadorja Majlinda Frangaj solli në vemendje se, më 19 korrik 2022 në Bruksel, u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një moment historik i rrugëtimit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe një hap më afër në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Në vijim, Ambasadorja Frangaj ftoi Kardinalin shqiptar Ernest Simoni, i cili në fjalimin e tij të shkurtër, u shpreh: “Të gjitha qeniet njerëzore janë kryeveprat e Zotit”. Fjalët e Kardinalit Ernest Simoni, i vetmi prift ende në jetë, i cili është dëshmitar i persekutimit të regjimit komunist, prekën shumë të pranishmit. Jo vetëm përmbajtja e atyre fjalëve, por pikërisht burimi, autori i asaj deklarate. “Të gjithë” pohoi Kardinal Ernest Simoni, dhe në këtë “të gjithë” janë edhe torturuesit e tij. Edhe ata, thotë Kardinali, dolën nga duart e Zotit, si kryevepra. Deklaratë marramendëse. Ajo “prekje” që ende ndjen të dridhet në fjalët e Kardinalit Ernest Simoni dhe që e bën atë në një farë mënyre “të papërlyer/immacolato”, si shenjtorja Maria që fali torturuesit e djalit të saj.